E Diel, 1 Nëntor 2026

Petroviç: Duam marrëdhënie të mira mes Shqipërisë e Serbisë

 Slobodan Petroviç, kryetar i Partisë Liberale Serbe në Kosovë flet në një intervistë për BBC-në, dhënë gazetarit Ilir Kadia, për vizitën dyditore në Tiranë. Ai vlerëson vendimin e qeverisë shqiptare për t’i dhënë 400 mijë euro komunës së Graçanicës dhe vizitën e Presidentit Tadiç në Shqipëri. Cili është qëllimi i vizitës suaj në Tiranë?Ne jemi këtu për vizitë zyrtare me ftesë të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe kjo ka arsye të shumta. Nuk është vetëm qëllimi financiar. Natyrisht që është një vizitë miqësore dhe siç e ka cekur edhe Presidenti Topi, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe kryeministri Berisha kjo është një vizitë historike. Ne kemi pasur nevojë ta dërgojmë një mesazh të qartë. Dhe ky mesazh nuk ka të bëjë vetëm me popullin e Republikës së Shqipërisë, por edhe më gjerë. Dhe ajo që ka bërë sot Kryeministri Berisha dhe zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta është më shumë se një gjest simbolik...Ju e keni fjalën për 400 mijë eurot që qeveria shqiptare i ka dhuruar sot për Graçanicën apo jo?Ajo çka ishte si një propozim gjatë vizitës në Kosovë të Kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, ku kanë shprehur vullnetin për të ndihmuar komunat e reja të formuara dhe veçanërisht atë të Graçanicës është një mesazh i qartë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe veçmas për komunitetin serb dhe natyrisht i jemi shumë mirënjohës për çfarë ka bërë Qeveria e Shqipërisë. Dhe nuk është fjala vetëm për këtë ndihmë ekonomike, dhe të jemi të sinqertë që në Shqipëri ende nuk është tejkaluar kriza botërore dhe jemi të vetëdijshëm se ky shtet e ka të njëjtin problem sikur e kanë edhe shtete të tjera. Kjo i jep rendësi të veçantë ndihmës që na është dhënë.Ju jeni prej serbëve të paktë në Kosovë që merrni pjesë në institucionet e Kosovës. Pse pjesa më e madhe e serbëve, sipas jush, vazhdojnë t’i bojkotojnë ato?Para se të përgjigjem në pyetjen tuaj ndiej nevojën të falenderoj të gjithë qytetarët e Shqipërisë për ndihmën, që po na japin dhe shpreh dëshirën që të njëjtin shembull ta japin edhe qytetarët e tjerë në rajon dhe ketë gjest të Qeverisë do ta promovojmë edhe në Bruksel edhe në Uashington… Të vijmë tek pyetja juaj.Ka shumë arsye por ajo që është trimëruese është dëshmia e zgjedhjeve të fundit lokale, ku shumica e qytetarëve serbe morën pjesë në këto zgjedhje dhe natyrisht që pjesëmarrja më e madhe ka qënë prej punës sonë të vazhdueshme, angazhimit tonë gjatë këtyre dy viteve të fundit. Kishte pasë mundësi që të bëhej më shumë por puna jonë e dy viteve ka qenë shumë më e madhe se puna e mëparshme dhe natyrisht për një pjesëmarrje të tillë ka qenë e domosdoshme mbështetja e qeverisë së Kosovës. Ne falënderojmë të gjithë ata që na mbështetën në këtë projekt. Një nga arsyet pse serbët i kanë bojkotuar më parë institucionet në Kosovë mund të jetë sepse nuk e kanë parë interesin e tyre për t’i mbështetur këto institucione, pasi ata që kanë qenë para nesh nuk kanë bërë mjaft siç kemi bërë ne, që edhe populli të shohë interesin e tij. Dhe natyrisht si rezultat i angazhimit të partisë time politike dhe të atyre që mbështesin këtë parti kemi si dëshmi më të mirë përqindjen e serbëve në këto zgjedhje.Ju shpresoni që mund të kthehet në një trend pjesëmarrja e serbëve në institucionet e Kosovës?Kjo është diçka natyrale kur të gjithë qytetarët shkojnë e kryejnë atë çka është në interes të tyre dhe të mbështesin qeverinë. është përgjegjësi e detyrë e jona që ne si pjesë e këtyre institucioneve të japim kontributin tonë dhe të angazhohemi në maksimum që këtyre qytetarëve t’u japim dhe t’u mundësojmë të mira në interes të tyre. Ndaj angazhimi i Republikës së Shqipërisë na jep kurajo për të bërë më shumë në interes të qytetarëve tanë.Kryeministri Berisha konfirmon vizitën në Shqipëri të Presidentit serb Tadiç. Si reflektojnë sipas jush marrëdhëniet mes Tiranës dhe Beogradit në mesin e serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës?Natyrisht që ka shumë rëndësi që të rezultojnë marrëdhënie të mira mes Beogradit dhe Tiranës, sepse kjo do të reflektojë direkt edhe në Kosovë. Dhe jemi shumë të trimëruar nga takimet me Presidentin dhe Kryeministrin, po ashtu edhe me zv/kryeministrin Ilir Meta, të cilët na thanë se janë në fazën përmbyllëse të përgatitjeve për vizitën e Presidentit dhe kryeministrit Tadiç në Shqipëri. Ne japim kontributin tonë përsa i përket stabilitetit, që gjithsesi ka rëndësi të madhe për Kosovën, sepse qëllimi i partisë tonë është të rrëzojmë barrierat dhe të ndërtojmë ura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›