E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pezullime dhe gjoba te Vllaznia

Miliona lekë të shpërdoruara. Kjo është Vllaznia e këtij sezoni. Një skuadër e ndërtuar për të luftuar për titullin, por që renditet e teta në Superligë.

Pas mbylljes së fazës së parë të kampionatit, drejtuesit e klubit shkodran kanë vendosur të pezullojnë dy lojtarë dhe të vendosin gjoba për të gjithë ekipin.

Më të goditurit ishin mbrojtësi Tefik Osmani dhe sulmuesi Vilfor Hysa. Për paraqitjet e dobëta gjatë sezonit, këta dy lojtarë janë pezulluar për tre muaj nga skuadra e parë dhe u gjobitën me 45 për qind të vlerës së kontratës.

Ata do të jenë të detyruar të stërviten në ekipin U-19, edhe pse këto duken më tepër sinjale divorci prej merkatos së janarit.

Masa të rënda janë marrë edhe ndaj Ilir Nallbanit dhe Halim Begajt. Dy lojtarët janë gjobitur me 35 për qind të vlerës së kontratës. Përsa i takon pjesës tjetër të kontingjentit, të gjithë futbollistët u gjobitën me një rrogë e gjysmë.

Në vendimin e klubit Vllaznia nuk është marrë asnjë vendim për stafin teknik, mbi të gjitha për trajnerin Shpëtim Duro. Drejtuesit kuqeblu kanë bërë të ditur se kjo çështje do të jetë objekt i një vendimmarrje të mëvonshme.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›