E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, SHBA e BE dy vëzhgues special pranë KQZ

TIRANE- SHBA e BE do të monitorojë jo vetëm procesin zgjedhor të 8 majit por dhe punën e KQZ-së. Veç vëzhguesve të misionit të OSBE/ODIHR-it, të cilët janë afatshkurtër dhe të afatgjatë dy "vëzhgues" specialë do të instalohen pranë KQZ-së dhe do monitorojnë çdo vendim që do të marrë ky institucion në lidhje me procesin zgjedhor.

Kjo është bërë e ditur nga zv/ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, në takimin e posaçëm që Tomas Kantrimen ka pasur dje me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, shkruan sot "Gazeta Shqiptare".

Zv/ndihmëssekretari amerikan i Shtetit Tomas Kantrimen vizitoi dje Tiranën për të përcjellë mesazhin e SHBA-së se integrimi i Shqipërisë varet nga standartet që do arrihen në këto zgjedhje dhe nga vullneti i politikës për të rivendosur gjuhën e dialogut.
MESAZHI I KANTRIMEN
“E ardhmja e Shqipërisë është në BE. Kjo është sfida më e madhe me të cilën përballen shqiptarët. Procesit i anëtarësimit në BE mund të përshpejtohet ose të ngadalësohet në varësi të dialogut politik dhe nga mbarëvajta e zgjedhjeve të 8 Majit”,- tha dje Kantrimen.

Duke e vënë theksin tek zgjedhjet e 8 Majit, Kantrimen tha se ato duhet të jenë thellësisht transparente. “Transparenca është vlerë, është shumë e rëndësishme për një demokraci dhe të dyja partitë duhet ta ndajnë këtë vlerë”,- theksoi më tej Kantrimen.

Zyrtari i lartë amerikan theksoi ndër të tjera se kriza politike ka përkeqësuar imazhin e Shqipërisë ndërsa vuri në dukje se palët duhet të bashkëpunojnë për organizimin sa më të mirë të zgjedhjeve. “Çështja e transparencës së zgjedhjeve duhet dhe mund të adresohet në një dialog mes palëve. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të insistojnë se institucionet duhet të respektohen, duhet të jenë të pavarura, këtu përfshihet edhe KQZ-ja që duhet të punojë si një institucion i pavarur. OSBE/ODIHR respekton punën e KQZ”,- tha më tej Kantrimen.

Lidhur me ndryshmet në kodin zgjedhor para zgjedhjeve, Kantrimen nënvizoi se "OSBE ka të drejtë që është shumë vonë për të bërë ndryshime madhore në Kodin Zgjedhor. Por nuk është tepër vonë, që partitë të bien dakord për rregulla të drejta fushate dhe procedurale, kur këto janë jashtë Kodit Zgjedhor".
Gjatë ditës së djeshme Kantrimen zhvilloi takime të veçanta me Kryeministrin Sali Berisha, Kryetarin e PS-së Edi Rama, Presidentin Bamir Topi si dhe me kreun e KQZ-së Arben Ristani.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›