Si ta anëtarësojmë Kosovën në OKB

Shefi i UNMIK-ut, Joakim Ryker, do të raportojë në fillim të këtij muaji në Këshillin e Sigurimit për zhvillimet më të rëndësishme në Kosovë gjatë tre muajve të fundit, si dhe vetë të ardhmen e misionit në vendin tonë. Ky do të jetë raporti i parë i rregullt që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt. Raporti i sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki-Mun, duhet të dorëzohet të hënën me shkrim në trupin më të lartë të organizatës. Në mesin e diplomatëve në Nju Jork ka interesim të madh se çfarë do të thotë ai në këtë raport, veçanërisht lidhur me të ardhmen e UNMIK-ut, se a do të ketë ndonjë indikacion dhe se çfarë mund të pritet për të ardhmen e misionit dhe përfundimin e periudhës së tranzicionit në Kosovë. Organizata joprofitabile, “Security Council Report” (SCR) me seli në Nju Jork, që është pjesë e Qendrës për Organizata Ndërkombëtare të universitetit “Kolumbia”, ka hartuar një raport që përmban parashikime dhe analiza për aktivitetin e KS-së për muajin prill. Në pjesën për Kosovën, organizata thotë se Ban Ki-Mun mund të zbulojë kësaj here tre trende që kanë të bëjnë me fatin e UNMIK-ut: mbetja edhe për një kohë në Kosovë, pak a shumë kështu siç është sot; reduktimi i stafit në përputhje me rënien e nivelit të operacioneve dhe tërheqja e plotë e misionit. Megjithëkëtë, diplomatë të kontaktuar nga gazeta “Express” e Prishtinës, besojnë se kjo çështje do të lihet për vonë. Janë të mundshme edhe konsultime në këshill, nëse situata në veri të Kosovës përkeqësohet. Në pjesën e fundit të marsit, një deklaratë presidenciale e propozuar nga Rusia është ende duke u diskutuar në Nju Jork. SCR thotë se në këtë draftdeklaratë, Rusia riafirmon Rezolutën 1244, përsërit rëndësinë e zgjidhjes së problemeve në rajon përmes mjeteve paqësore, shpreh shqetësim rreth “veprimeve të njëanshme që kanë përkeqësuar situatën në Kosovë” dhe bën thirrje për gjetjen e një rruge për marrëveshje për Kosovën, si dhe rifillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, gjatë diskutimit për këtë deklaratë ruse, shtetet anëtare deri më tash nuk kanë qenë në gjendje të pajtohen as për elementet bazë. Lidhur me zhvillimet rreth Kosovës, Këshilli i Sigurimit ka arritur të lëshojë vetëm një kumtesë për shtyp, me të cilën e ka dënuar dhunën e huliganëve serbë ndaj ambasadave në Beograd, më 21 shkurt. Deklarimet publike të ambasadorëve lidhur me çështjen e Kosovës kanë dhënë një pasqyrë të qartë për dallimet dhe ndarjen mes tyre. Përndryshe, shumica e 10 anëtarëve jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit janë gjithnjë e më të gatshëm që Kosova të jetë një çështje sa më e rrallë në axhendë. Organizata që përcjell punën e këshillit potencon disa çështje kyçe lidhur me Kosovën. “Çështje kyçe është potenciali për dhunë të mëtejshme, posaçërisht në veri. Një çështje që ndërlidhet me këtë është se çfarë reagimi duhet pasur ndaj përfshirjes së Serbisë në institucionet paralele në veri të Kosovës dhe konsekuencat e mundshme që “ndarja e butë” të forcohet, duke u zhvilluar në një konflikt të ngrirë”, thuhet në raportin e saj. Çështja e dytë e rëndësishme është sesi duhet të përballet UNMIK-u me sfidimin e drejtpërdrejtë të autoritetit të tij. Rimarrja e gjykatës nga forcat ndërkombëtare në veri të Mitrovicës është parë nga UNMIK-u si vijë e kuqe e qartë, që ka arsyetuar aksionin e menjëhershëm të policisë dhe KFOR-it. Disa anëtarë të Këshillit të Sigurimit mendojnë se aksioni ka qenë i nxituar dhe se situata në gjykatën e okupuar nga serbë të rebeluar ka mundur të zgjidhet pa dhunë. Një çështje e ndërlidhur me këtë është se a do të përdorin forcën dhe kur UNMIK-u dhe NATO në përpjekje për të ruajtur stabilitetin në veri të Kosovës. Çështja e tretë e rëndësishme janë dallimet në Këshillin e Sigurimit rreth interpretimit të Rezolutës 1244, në mënyrë specifike implikimet për praninë e UNMIK-ut në Kosovë. Nëse sekretari i Përgjithshëm thotë se do të ristrukturojë UNMIK-un, në përputhje me zhvillimet në Kosovë, atëherë shtrohet pyetja se çfarë veprimesh nevojiten që ky vendim të hyjë në fuqi. “Disa mendojnë se për këtë nuk nevojitet ndonjë rezolutë e re. Të tjerët ka të ngjarë të insistojnë që UNMIK-u nuk mund të ristrukturohet ose rikonfigurohet pa amendamentin e rezolutës së tanishme 1244, vlerëson SCR. SHBA-të dhe anëtaret e BE-së e shohin Rezolutën 1244 të përputhshme me misionin e BE-së. Të tjerët, në radhë të parë Rusia, mendojnë se kjo është në kundërshtim me Rezolutën 1244. Këto qëndrime duket se po ngurtësohen edhe më shumë. Opsionet e Këshillit të Sigurimit do të varen shumë nga evoluimi i situatës së sigurisë në Kosovë dhe se çfarë do të sugjerojë sekretari i Përgjithshëm i OKB-së në raportin e tij. Duke marrë parasysh bllokadën rreth çështjes së Kosovës në Këshillin e Sigurimit, gjasat më të mëdha janë që shumica e shteteve anëtare thjesht do të preferojnë që, përveç debatit dhe raportimit në takimin për Kosovën, të mos merret asnjë vendim. Një opsion është që Këshilli i Sigurimit të kërkojë nga sekretari i Përgjithshëm që të hartojë raporte për situatën në Kosovës për çdo muaj dhe jo si deri më tash, për çdo tre muaj. Edhe pse nuk ka të ngjarë të zbatohen në Këshillin e Sigurimit, opsionet tjera lidhur me Kosovës, sipas SCR-së, janë: fillimi i punës për hartimin e një rezolute të re për të zëvendësuar rezolutën 1244, rinkonfigurimi i UNMIK-ut dhe autorizimi i misionit të BE-së, pajtimi për një kornizë të re për negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit dhe, të kërkohet nga UNMIK-u që të punojë me Serbinë për shqetësimet kryesore, siç janë statusi i popullatës serbe në Kosovë, doganës, gjykatësve dhe policisë.