Pezullohet arbitri, dyshohet se trukoi Maqedoni-Kanada 3-0
Gjyqtari bullgar, Anton Genov, është vënë nën hetim nga UEFA, pasi dyshohet se ai ka luajtur një rol protagonisti në trukimin e miqësores ndërkombëtare ndërmjet Maqedonisë dhe Kanadasë. Gjithçka ka ardhur pas sinjalizimeve të kompanive që bashkëpunojnë me "qeverinë" europiane të futbollit, për baste ilegale. Bastet ngritën dyshime pasi Genov akordoi katër penallti në sfidën e fituar 3-0 nga maqedonasit. 11-metërshat, nga dy për secilën skuadër, u regjistruan të gjithë gjatë pjesës së dytë të lojës. Për kanadezët Hume gjuajti jashtë, ndërsa ekzekutimi i Xhekson u neutralizua nga portieri maqedonas. Në anën tjetër, Goran Pandev shndërroi në gol penalltitë e vendasve. UEFA deklaroi se gjatë hetimit, arbitri nuk do të caktohet për të drejtuar asnjë ndeshje ndërkombëtare: këtu përfshihen aktivitetet e përfaqësueseve, në Champions League apo edhe në Europa League. Hetimi është ngritur vetëm pak javë pasi konfederata europiane e futbollit dhe policia gjermane zbuluan një rrjet shumë të gjerë të manipulimit të rezultateve në futboll, ku dyshohen mbi 200 ndeshje në të paktën 11 kampionate kontinentale. Gjatë kësaj periudhe, dyshime ka pasur edhe për gjashtë ndeshje eliminatore të Europa League dhe një në Champions, ku mes skuadrave nën hetim figurojnë edhe Vllaznia e Tirana. "Pas sinjalizimeve për baste ilegale në miqësoren Maqedoni-Kanada, të luajtur më 14 nëntor dhe pasi mori në pyetje gjyqtarin në fjalë, UEFA vendosi që mos t‘i caktojë Anton Genovit asnjë ndeshje europiane për të arbitruar, deri në zhvillime të mëvonshme të hetimeve", bëri të ditur UEFA nëpërmjet një deklarate për shtyp të publikuar të mërkurën. Gjyqtari 43-vjeçar Genov mban stemën e FIFA-s, duke qenë pjesë e listës së federatës botërore për arbitrimin e ndeshjeve ndërkombëtare, që prej vitit 1999. Nëpërmjet kësaj liste përzgjidhen edhe "bilbilët" që do të drejtojnë sfidat e fazës finale të Kupës së Botës 2010. Gjatë muajit të kaluar UEFA kishte bërë të ditur se po hetonte tri gjyqtarë ndërkombëtarë, të cilët ishin mes të dyshuarve në hetimin për manipulimin e ndeshjeve.
"Bookmakers"-at kishin shfaqur dyshime për shkak të basteve të shumta të vendosura në rezultatin final me tre ose më shumë gola, por mbi të gjitha për baste të sakta në numrin e penalltive që do të akordoheshin. Stefen Hart, trajneri i Kombëtares kanadeze deklaroi se arbitrimi në atë miqësore të krijonte idenë e një ndeshjeje "mjaft të tensionuar". "Për gjithçka që ndodhte, gjyqtari fërshëllente. Çdo kontakt ndërmjet lojtarëve ishte faull", tha ai. "Ndoshta kjo ishte arsyeja përse u akorduan edhe katër penallti. Megjithatë, nuk i kushtova shumë vëmendje këtyre situatave. Kur luajmë larg fushës tonë, arbitrime të tilla janë të shpeshta". Pas publikimit të këtij skandali, Federata Bullgare e Futbollit (BFU) ka "shkrirë" sektorin e gjyqtarëve: ky vendim merret për herë të dytë në harkun e 15 muajve, për shkak të rritjes së gabimeve të "xhaketave të zeza" në mjaft ndeshje. Janë të shumta klubet bullgare që në këtë sezon kanë kritikuar punën e arbitrave, madje, kampionët e Levskit të Sofjes kërkuan edhe dorëheqjen e presidentit të BFU-së, Borislav Mihajlov dhe të shefit të gjyqtarëve, Dimo Momirov.