Kriza në Shqipëri përçan Parlamentin Evropian
Debati i ashpër mes maxhorancës dhe opozitës në Tiranë përçan edhe parlamentin Evropian. Tentativa e përfaqësuesve të krahut të majtë në PE për të ndryshuar rezolutën për Shqipërinë u rrëzua nga shumica e djathtë. Eurodeputeti bullgar Kristian Vigenin depozitoi në minutat e fundit një amendament, i cili vinte theksin te angazhimi i klasës politike për të gjetur kompromisin që do të çonte edhe në rikthimin e opozitës në Parlament. “PE i bën thirrje të gjithë liderëve politikë për të siguruar që dialogu konstruktiv politik të ruhet, në mënyrë që të mbështetet axhenda evropiane për reforma. PE përsërit se debati demokratik duhet të zhvillohet brenda Parlamentit. Në këtë drejtim i bëhet apel qeverisë dhe opozitës për të gjetur një zgjidhje për ngërçin aktual politik dhe t’i jepet fund bojkotit të opozitës në Parlament”, thuhej në propozimin e Vigenin. Por ky amendament i eurodeputetit të majtë u rrëzua nga e djathta në Parlamentin Evropian, e cila mbështeti propozimin e Doris Pack për t’i kërkuar opozitës të rikthehet në Parlament, ndërkohë që i bën thirrje maxhorancës dhe PS-së të gjejnë gjuhën e përbashkët për të vijuar debatin në Parlament. Pas takimit me ministrin e Jashtëm Ilir Meta, eurodeputetja Pack ka propozuar amendamentin e saj, i cili është pranuar me ndryshimet e bëra nga kryetari i Komitetit, Gabriele Albertini. Por, amendamenti i socialistit Vigenin u sugjerua në minutën e fundit, ndaj për rrjedhojë iu nënshtrua forcës së kartonave nga e djathta evropiane.