E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Serbët janë aset në Kosovë

 

Në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta u takua me përfaqësues të komunitetit serb në Kosovë, Sllobodan Petroviç, Kryetar i Partisë Liberale Serbe dhe Sasha Rasiç, Ministri i Kthimit dhe i Komuniteteve në Qeverinë e Kosovës. Pasi vlerësoi procesin e 15 nëntorit Meta shprehu bindjen se kjo klimë e qetë e paqësore do të ndihmojë në kthimin e personave të shpërngulur të komunitetit serb. “Meta theksoi se bashkëpunimi dhe dialogu konstruktiv i shërben së pari interesave të të gjithë serbëve të Kosovës si dhe të ardhmes evropiane të shtetit të ri. Në këtë kuadër, ai u shpreh se komuniteti serb në Kosovë përbën një aset shumë të rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës evropiane, dhe nënvizoi se duhet parë nga e ardhmja, integrimi dhe përfaqësimi i tyre në të gjithë jetën dhe institucionet e vendit”, thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Duke u ndalur në këtë çështje, kreu i diplomacisë premtoi se Qeveria e Shqipërisë do të japë kontributin e saj për ndërtimin e shtëpive për të kthyerit ose për ndërtimin e objekteve social-kulturore në komunat me shumicë serbe. Nga ana e tyre Petroviç dhe Rasiç falënderuan Metën për takimin që u rezervoi përfaqësuesve të komunitetit serb në Kosovë, dhe i uruan në gjuhën shqipe “Mirëserdhët në Prishtinë”. Me këtë rast ata vlerësuan se kontributi i Shqipërisë në procesin e kthimit është një veprim tepër i mirëpritur nga ana e tyre. Mesditën e djeshme numri dy i Qeverisë bëri homazhe dhe vendosi një kurorë me lule në varrin e ish-presidentit Ibrahim Rrugova në Prishtinë dhe në varrezat e familjes Jashari në Prekaz. Pas homazheve mbi varrin e ish-presidentit Rrugova, Meta u prit nga bashkëshortja dhe familjarët e Rrugovës. Gjatë bisedës, kreu i ministrisë së jashtme shqiptare shprehu vlerësimin e tij të madh për rolin dhe kontributin e pamohueshëm të Rrugovës në historinë e Kosovës duke shprehur bindjen se tashmë vizioni i ish-presidentit Rrugova po materializohet me një Kosovë të pavarur që po ecën përpara në konsolidimin e institucioneve të saj dhe në rrugëtimin e sigurt drejt integrimit evropian. “Më pas, Zv.kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme z. Ilir Meta bëri homazhe në varrezat e familjes Jashari në Prekaz ku vendosi një kurorë mbi varrin e Komandantit legjendar të UÇK Adem Jashari”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›