Buxheti, 236 punonjës më pak për institucionet e pavarura
tirane
Kuvendi miratoi dje me 75 votat e maxhorancës buxhetin e ri të shtetit për vitin 2010. Në total buxheti arrin shifrën 411 miliardë lekëve, ose rreth 4.3 miliardë dollarëve. Por deputetët dje ndryshuan draftin e ministrisë së financave në disa pika të buxhetit. Varianti i miratuar heq nga puna 236 punonjës të administratës së institucioneve të pavarura. Bëhet fjalë për shkurtimet në numrin e shoferëve për të gjitha institucionet nga presidenca deri te kontrolli i shtetit. Kuvendi e miratoi këtë ndryshim të buxhetit, edhe pse një ditë më parë Gjykata Kushtetuese e kishte pezulluar nenin e ligjit që shkurtonte numrin e shoferëve dhe makinave në institucionet e pavarura. Më e prekura nga ndryshimi i kuvendit janë gjykatat. Qeveria kishte parashikuar 45 shkurtime në numrin e punonjësve, ndërsa komisionet e kuvendit i shtuan këtij numri edhe 19 të tjerë dhe dje u votua buxheti me 64 punonjës më pak. Numri më i madh i shkurtimeve është në Kuvend, nga ku pritet të shkurtohen 128 shoferë, dhe në Gjykatën kushtetuese ku pritet të dalin pa punë 11 shoferë. Nga ligji për rregullimin e shërbimit të transportit, pra nga heqja nga puna e shoferëve, buxhetit i janë kursyer rreth 562 milionë lekë, ose rreth 6 milionë dollarë. Ndërkohë që në zërin e shpenzimeve korrente, vetë komisioni i ekonomisë hoqi rreth 500 milionë lekë.
Ndryshimet
Një tjetër ndryshim thelbësor i kuvendit është shkurtimi me rreth 35 për qind i fondit të krijuar për herë të parë, për Zhvillimin e Rajoneve. Ky fond në buxhetin e miratuar nga qeveria ishte parashikuar në 13.55 miliardë lekë, ndërsa komisioni i Ekonomisë e reduktori këtë fond në 8 miliardë lekë. Fondi për Zhvillimin e Rajoneve ishte një risi e buxhetit të vitit 2010, por mesa duket është zvogëluar akoma pa nisur projektet. Kuvendi dje ndryshoi edhe fondin rezervë. Ky fond është rritur me rreth 500 milionë lekë. Nga ndryshimet e tjera janë prekur edhe shpenzimet korrente dhe ato kapitale. Kështu janë ulur shpenzimet korrente me rreth 500 milionë lekë, para të cilat janë shtuar në fondin e investimeve. Sidoqoftë, në krahasim me vitin 2009, që po mbyllet, investimet janë ulur me rreth 150 milionë euro.
Të përndjekurit
Në buxhetin që miratoi dje kuvendi për vitin 2010, është hequr fjalia, e cila lejonte përdorimin e fondeve rezervë, për kompensimin e pronarëve. Por nga ana tjetër, kuvendi miratoi dje në buxhetin e vitit 2010, se data përfundimtare e dëmshpërblimit të ish-pronarëve do të jetë 31 maji i vitit 2011. ““E drejta për të kryer shpenzime për kompensimin e ish të përndjekurve politikë skadon më 31 maj 2011”. Një fjali kjo pjesë përbërëse e ligjit për buxhetin i cili ka fuqi vetëm për vitin 2010. Sidoqoftë, deputetët kanë dashur të detyrojnë qeverinë që të shpërndajë fondet gjatë këtij viti, duke lënë si afat vetëm 5 muaj në vitin pasardhës, 2011, për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë. Në total fondi për dëmshpërblimin për vitin 2010 është 2 miliardë lekë ose rreth 21 milionë dollarë.
Ndryshimet ne buxhet
Neni 10 Shtohet fjalia: “E drejta për të kryer shpenzime për kompensimin e ish të përndjekurve politikë skadon më 31 maj 2011”
Kuvendit i shtohen shpenzimet për investime në shumën 62 milionë lekë në projektin “Rikonstruksioni i godinës ekzistuese”
Në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit, dhe Mbrojtjes së Konsumatorit bëhen këto ndryshime.
Shtohen shpenzimet me shumën 500 milionë lekë, nga të cilat 100 milionë lekë për investime dhe 400 milionë lekë për shpenzime operative, e detajuar në programe.
Në Ministrinë e Financave reduktohen shpenzimet në shumën 25 milionë lekë, nga të cilat 21 milionë lekë janë paga e sigurime shoqërore dhe 4 milionë lekë janë shpenzime operative
Kontrollit të Lartë të Shtetit i shtohen shpenzimet për paga dhe sigurime shoqërore në shumën 2.4 milionë lekë.
Shkollës së Magjistraturës i shtohen shpenzime për paga dhe sigurime shoqërore në shumën 2.4 milionë lekë , për të përballuar shtesën me 2 punonjës(pedagogë).
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive i shtohen shpenzime për sigurime shoqërore në shumën 1 milion lekë.
Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale i shtohen shpenzime për investime në shumën 2 milionë lekë për projektin “Blerje pajisjesh kompjuterike dhe programe software”.
Institucioneve të tjera qeveritare u shtohen shpenzime kapitale në shumën 270 milionë lekë nga të cilat 120 milionë lekë janë shpenzime kapitale të patrupëzuara dhe 150 milionë lekë janë shpenzime kapitale të trupëzuara.
Në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës bëhen këto rialokime brenda programeve:
Shtohen shpenzime për investime për projektin UNIALB në shumën 45.3 milionë lekë.
Shtohen shpenzimet për investime në grante konkurruese në arsimin bazë në shumën 200 milionë lekë.
Reduktohen shpenzimet korrente në të gjitha ministritë dhe institucionet buxhetore në shumën 1062.4 milionë lekë nga të cilat 500 milionë lekë janë shpenzime operative të aparateve të ministrive dhe institucioneve dhe 562.4 milionë lekë janë kursime nga zbatimi i ligjit nr.10160, datë 15.10.2009 “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë” dhe i vendimit të Këshillit të Ministrave në zbatim të tij. Komisioni përveç reduktimit të propozuar nga Këshilli i Ministrave për numrin e punonjësve në ZABGJ, në kontekstin e miradministrimit të fondeve publike, propozon edhe një reduktim prej 19 punonjësish, duke rezervuar një total prej 64 punonjësish të reduktuar gjithsej në këtë institucion. Ky reduktim shoqërohet me kursimin përkatës prej 70 milionë lekësh. Detajimi i reduktimeve të këtyre shpenzimeve, sipas ministrive dhe institucioneve është sipas tabelës bashkëlidhur.
Shkurtohet numri i punonjësve të institucioneve të pavarura me 236 punonjës si dhe reduktohen shpenzimet e tyre në shumën 92.6 milionë lekë, në zbatim të ligjit dhe të vendimit të Këshillit të Ministrave të sipërcituar. Detajimi i buxheteve të këtyre institucioneve pas shkurtimeve është sipas tabelës 1.1 të bashkëlidhur.
Në Tabelën Fiskale Fondi i Zhvillimit të Rajoneve korrigjohet nga 13550 milionë lekë në 8074 milionë lekë.
Buxheti, përplasen ministrat Bode e Vasili
Në miratimin e buxhetit është vënë re përplasja e parë publike mes ministrave të PD-së dhe LSI-së në qeverinë “Berisha”. Kërkesa shtesë për fonde nga Ministria e Shëndetësisë ka hasur në rezistencën e kryefinancierit Bode, duke mos i pranuar ato. Ministria e Shëndetësisë kërkonte 40 milionë shtesë për shërbimin parësor për një numër qendrash shëndetësore për rikonstruksion, si dhe për mënyrën e akordimit të ndarjes së fondeve nga ISKSH-ja. “Ministria kërkon uljen e nivelit të granteve konkurruese të Ministrisë së Drejtësisë për ndërtimin e Ambulancave, çka ne nuk mund të biem dakord. Kërkesa e dytë lidhet me një procedurë për mënyrën e akordimit të shpërndarjes së fondeve nga ISKSH. Ne kemi një bërë një përcaktim sikurse në vitin e kaluar, për faktin se institutit duhet të detajojë buxhetin dhe ai të miratohet me një vendim të KM-së për të mënjanuar çdo problematikë, në kushtet kur skema e financimet në spitale, nuk bazohet në koston e protokolleve. Skema ende nuk është funksionale”, tha Bode. Por ministri Vasili tha se këto fonde kërkohen për shkak të pasjes së rezultateve në reformën në sistemin e shëndetësisë.