E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet, mashtroi në emër të Shpresa Beçajt

Arrestohet me aku-zën e vjedhjes me anë të mashtrimit ish-shoferi i Gjy-katës së Lartë. Shtetasi Stavri Vaso, 47 vjeç, ka rënë në prangat e policisë pasi akuzohet nga Prokuroria se ka kryer veprën penale të vjedhjes me anë të mashtrimit. Arrestimi ka ndodhur pas mesditës së martë, kur forcat e sektorit të hetimit të korrupsionit dhe krimit ekonomik në Policinë e Shtetit i kanë vënë prangat shtetasit Stavri Vaso, i cili deri vitin e kaluar, në muajin prill, kishte punuar si shofer i Gjykatës së Lartë. Akuza e ngritur ndaj tij është se duke shfrytëzuar detyrën që mbante si shofer i Gjykatës së Lartë, i arrestuari i ka premtuar një familjeje nga Shkodra ndihmë në kthimin e pronave, pasi çështja ndodhej në shqyrtim në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit. Kundrejt ndihmës dhe ndërhyrjeve për një vendim pro familjes Tula, ish-shoferi i Gjykatës së Lartë akuzohet se ka kërkuar dhe ka marrë në vazhdimësi shuma të konsiderueshme financiare me argumentin se “i kërkonin shefat”. Në lidhje me arrestimin e Vasos, reagoi dje edhe gjykata e Lartë. Kryetarja Shpresa Beçaj, bëri thirrje që qytetarët të kërkojnë drejtësi tek institucionet dhe jo tek sekserët. Sipas hetimeve të Prokurorisë, personi i dëmtuar nga kjo histori është shtetasi H. Tula, banues në Shkodër, i cili ka trashëguar nga babai i tij një sipërfaqe trualli prej 3000 m2 në lagjen “Perash” Shkodër. Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Shkodër, me vendim nr.92, datë 15.12.1993, ka vendosur kthimin e një pjese prej 846 m2 dhe kompensim monetar të sipërfaqes prej 2114 m2. Gjatë kohës që interesohej për kompensimin, pronari është njohur me shtetasin Stavri Vaso, i cili, sipas hetimit, është prezantuar si shofer i kryetares së Gjykatës së Lartë. Ai i ka premtuar qytetarit nga Shkodra se ishte në gjendje të ndërhynte pranë AKKP-së Tiranë për të marrë kompensimin në vlerë leku. Për këtë i ka kërkuar si fillim 2500 euro, të cilat i donin shefat e kthimit të kompensimit për të mbaruar punë. Qytetari nga Shkodra mësohet se ia ka dhënë Stavri Vasos shumën në fjalë me anë të bashkëshortes. Më pas, për plotësimin e dosjes me dokumentet e nevojshme për marrjen e tyre nga institucionet e ndryshme, Stavri Vaso ka kërkuar se duhen paguar para kesh dhe qytetari ka pranuar dhe ka paguar 2 300 000 lekë, nga këto, 311 500 lekë janë hedhur në adresë të shtetasit Stavri Vaso në një bankë të nivelit të dytë. Përveç shumave të mësipërme, i arrestuari Stavri Vaso akuzohet se ka kërkuar një shumë tjetër parash, 5 500 000, me pretendimin për të paguar disa zyrtarë të AKKP-së Tiranë dhe nxjerrjen e dokumenteve të ndryshme. Qytetari nga Shkodra ka pranuar të paguante shumën sapo të merrte kompensimin. Në kontaktet me familjen e interesuar, shoferi i Gjykatës së Lartë, Stavri Vaso, u thoshte “puna është mirë dhe ju do të merrni paratë”. Në një rast, ai, në një copë letër ka bërë llogaritjet e parave që do të merrnin: 2474 m2 x 213000 lekë = 526 692 000 lekë të vjetër. Sipas tij, për këtë duhej paguar 2% e shumës së parave, që ishte 625 924 lekë. Këtë letër ai ua ka dhënë me vete familjarëve që ta mbanin mend. Ngjarjet kanë marrë tjetër rrjedhë, pasi personi që kishte dhënë paratë ka parë se emri i tij nuk po dilte në listat e përfituesve të kompensimit. Ai ka mësuar se në Agjencinë e Pronave nuk ishte depozituar asnjë shumë nga pagesat që duheshin bërë. Për këtë arsye, ai menjëherë e ka denoncuar ngjarjen në polici.

Reagon Beçaj
Gjykata e Lartë sqaroi dje se shtetasi Stavri Vaso ka ushtruar detyrën e shoferit të administratës në Gjykatën e Lartë, por është larguar nga kjo gjykatë me insistimin e kryetares Beçaj në prill 2012. Kryetarja e Gjykatës, Shpresa Beçaj, me anë të një deklarate, theksoi dje se kjo gjykatë inkurajon dhe falënderon çdo qytetar, i cili u drejtohet organeve të drejtësisë për të gjetur dhe garantuar të drejtat individuale sa herë që ndeshet me raste mashtrimi, duke respektuar në të njëjtën kohë dhe punën e organeve të Policisë dhe Prokurorisë për të kryer veprimet e nevojshme në identifikimin e këtyre elementeve. Beçaj, në emër të saj dhe të trupës gjyqësore, duke shprehur shqetësimin se këta individë dëmtojnë rëndë imazhin e Gjyqësorit dhe ulin besimin e qytetarëve te Drejtësia, shprehu angazhimin se do të mbështesë çdo qytetar që denoncon përpara organeve të Drejtësisë raste të tilla korruptive.

TRAZHGIM SOKOLAJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›