E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pheniani fton për vizitë zyrtarët amerikanë

Koreja e Veriut ka ripërsëritur ftesën në adresë të te dërguarit të posaçëm amerikan, Stephen Bosworth, i cili është ftuar për vizitë në Phenian, njoftoi agjencia japoneze e lajmeve, Kyodo, sinjal ky i cili lë të kuptojë se Koreja e Veriut është e gatshme që të kthehet në negociatat bërthamore, por me kushte të veta.

Evangjelisti amerikan, Franklin Graham, i cili qëndroi këtë javë për vizitë në Phenian, për të organizuar ndihmat ushqimore për këtë shtet të izoluar komunist, theksoi se Pheniani ka një qëndrim tejet pozitiv për bisedat me Washingtonin.

Ftesa është bërë, tha Graham, duke cituar një zyrtar të Koresë së Veriut. Gjatë vizitës së tij, Graham është takuar me disa zyrtarë veri-koreanë, përfshirë këtu edhe Kim Kye Gvanin, të dërguarin e Phenianit në negociatat gjashtë-paleshe.

Mendoj se kanë një qëndrim pozitiv sa i përket negociatave të mundshme me SHBA-në, tha Graham.

Ky njoftim vjen në momentin kur Pheniani po vazhdon të dërgojë sinjale të përziera, duke premtuar se do të kthehet në negociatat gjashtë-paleshe, por duke ngritur njëkohësisht tendosjet në rajon, me testet e veta raketore dhe me akuzat në adresë të Koresë së Jugut se anijet e këtij vendi kanë hyrë në ujërat territoriale të Koresë së Veriut.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›