Shoferi i dehur godet për vdekje kalimtarin në rrugën Tiranë-Vorë
• TIRANE – Policia arreston shoferin e dehur të akuzuar se aksidentoi për vdekje një kalimtar.“Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “drejtim i automjeteve në gjendje të dehur”, janë akuzat e ngritura ndaj Kujtim Hidës, 27 vjeç nga Tirana. Ai u arrestua në flagrancë dje rreth orës 20:00. “Ky person, duke qarkulluar në segmentin e rrugës dytësore të autostradës Tiranë-Vorë, me mjetin e tij tip-motor “Nissan”, pa targa, në drejtimin Kamzë-Vorë, ka aksidentuar këmbësorin Ukë Driza, 48 vjeç”, thanë burimet zyrtare nga policia. Sipas tyre i aksidentuari u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak në Tiranë por edhe pas shumë mjekimesh të marra nuk mundi të jetonte. Grupi hetimor ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka realizuar veprimet hetimore e procedurale. Nga verifikimet e bëra në vendin e ngjarjes, policia tha se shkak i aksidentit ka qenë humbja e drejtimit dhe shpejtësia e lartë me të cilën po qarkullonte i arrestuari. Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe administrimit të provave të nevojshme, policia tha se materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për ndjekje penale të mëtejshme ndaj personit të arrestuar.