E Diel, 1 Nëntor 2026

Rinasi i kufizuar, reja vullkanike afër Ballkanit



Aeroporti i Rinasit ende po vuan pasojat e resë së hirit vullkanik, duke vepruar në pak destinacione për pasagjerët. Dje deri pasdite kanë operuar fluturime drejt Romës, Athinës, Stambollit, Vjenës, Pizës, Bergamos, Ankonës, Peruxhias, Lubjanës, Budapestit dhe Milanos. Të gjitha fluturimet e tjera mbeten të mbyllura deri në një njoftim të ri. Udhëtimi për në Londër, Frankfurt, Mynih, Trieste, Bolonjë dhe Rimini hë për hë mbetet i pamundur. Hiri vullkanik nga Islanda, sipas pamjeve satelitore të prezantuara nga Qendra Meteorologjike Evropiane, është mbi Ballkan. Por nuk ka ende shenja se do të ndikojë fort në përdorimin e hapësirës ajrore ballkanike. Gjysma e fluturimeve në Evropë kanë rinisur aktivitetin, por valë të reja hiri po dalin nga vullkani i Islandës, duke kërcënuar planet e Britanisë për rihapjen e aeroporteve të saj, përfshirë edhe “Heathrou” në Londër, një nga aeroportet më të populluar në botë. Shpërthimi i vullkanit “Eyjafjallajokull” po dobësohet, por sipas autoriteteve në Islandë, hiri vullkanik në ajër vazhdon të shkojë drejt Britanisë. Sipas Agjencisë së Monitorimit Meteorologjik të Londrës, “Met Office”, erërat sugjerojnë se situata nuk do të ndryshojë deri në fund të javës. Rreth 14,000 fluturime u kryen në hapësirën ajrore evropiane gjatë ditës së martë, gjysma e atyre që ndodhin zakonisht, sipas “Eurocontrol”, agjencia që menaxhon trafikun ajror evropian. Dy të tretat e fluturimeve të parashikuara u anuluan të hënën dhe rreth 80 për qind e fluturimeve në fundjavë nuk u kryen. Sipas “Eurocontrol”, fluturimet janë të kufizuara mbi 6,000 metra. Hapësira ajrore londineze është shumë e kufizuar në përdorim. Fluturimet janë rikthyer në Francë, Gjermani dhe Itali. Rreth 75 për qind e tyre pritet të kryhen në dy aeroportet kryesore të Francës, “Charles de Gaulle” dhe “Orly”, njoftoi ministri francez për Ekologjinë, Jean-Louis Borloo, për rrjetin francez të RTL-së. Autoriteti ajror i Gjermanisë, DFS, ka lejuar uljen dhe ngritjen e fluturimeve në aeroportet gjermane nën rregulla të vazhdueshme vizuale të fluturimit, për të ulur rrezikun e dëmtimit të mjeteve të avionëve. Kompania më e madhe ajrore në këtë vend, “Lufthansa”, ka njoftuar planet për të kryer 330 fluturime të martën, përfshirë edhe ato në linja të gjata. Italia e ka rihapur hapësirën ajrore në të gjithë vendin, sipas autoritetit ajror në këtë vend, ENAC. Aeroportet janë rihapur edhe në Spanjë, por izolimi sërish i përdorimit të hapësirës ajrore britanike ka lënë mijëra anglezë në këtë vend. Në Indi, autoritetet ua zgjatën vizat edhe dy javë pasagjerëve që do të udhëtonin brenda hapësirës evropiane. “Aeroportet kanë pësuar humbje prej 136 milionë eurosh që nga e diela”, tha Olivier Jankovec, drejtori i përgjithshëm i Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve, Evropë.

Kush u ndikua

SHQIPëRIA – Hapësira ajrore e hapur, fluturimet me kufizime.
KOSOVA – Hapësira ajrore e hapur, fluturimet me kufizime.
AUSTRIA – Hapësira ajrore e hapur.
BELGJIKA – Uljet u lejuan në 07:40, ngritjet në 12:00.
BOSNJA – Aeroportet e hapura.
BRITANIA – U hapën për pak orë, aktualisht të mbyllura.
BULLGARIA – Hapësira ajrore dhe aeroportet të hapura.
REPUBLIKA çEKE - Hapësira ajrore dhe aeroportet të hapura nga ora 10:00 të hënën, situata do të rivlerësohet.
DANIMARKA – Vetëm hapësira mbi 6300 metra do të jetë e hapur për transit.
ESTONIA – Hapësira ajrore e hapur, të paktën deri në 12:00 të martën.
FINLANDA – Mbyllur, të paktën deri në orën 06:00 sot.
FRANCA – Hapur me kufizime, rinisin 75 për qind e fluturimeve.
GJERMANIA - Gjermania e hapur me disa kufizime.
HUNGARY – Hapësira ajrore plotësisht e hapur.
REPUBLIKA E IRLANDëS – Aeroporti i “Dublin”-it i mbyllur. Transitet lejohen mbi 6200 metra lartësi.
ITALIA – Hapësira ajrore dhe aeroportet të hapura
LETONIA – Hapësira ajrore e hapur.
LITUANIA – Hapësira e hapur, pritet rivlerësimi.
LUKSEMBURG – Aeroporti u hap dje në mëngjes.
MOLDAVIA – Fluturimet ndërkombëtare nisën dje në 07:30.
MALI I Zi – Aeroportet e hapura.
Holanda – Fluturimet nisën ditën hënë në orën 18:00.
NORVEGJIA – Hapur vetëm për trafikun komercial me kufizim deri në mesnatë.
POLONIA – U hap të hënën, por u mbyll sërish dje.
RUMANIA – Plotësisht e hapur.
RUSIA – Të gjitha aeroportet të hapura, fluturimet në SHBA nga Poli i Veriut.
SERBIA – Aeroportet të hapura.
SLLOVAKIA – Hapur që nga ora 12:40 të hënën, sonte rivlerësimi.
SLLOVENIA – Hapur dje në orën 10:00.
SPANJA - 17 aeroporte të hapura.
SUEDIA – Hapur me kufizime itineraresh. Lejohen fluturimet në lartësi të mëdha në jug.
ZVICRA – Aeroportet e “Geneva”-s dhe “Zurich”-ut u hapën në martën në mëngjes, edhe pse u anuluan disa fluturime te të dy.
TURQIA – Të gjitha aeroportet të hapura. Transitet jo më lart se 6,000 metra.
UKRAINA – Aeroporti “Borispol” i Kievit, i hapur.

Vlerësimi i rrezikut, i gabuar
Modelet kompjuterike jo të sakta mund të kenë ekzagjeruar reagimin ndaj shpërthimit të vullkanit në Islandë, i cili u bë shkak për anulimin e dhjetëra mijëra fluturimeve, la qindra mijëra pasagjerë të bllokuar në aeroporte dhe i kushtoi biznesit qindra miliona euro. Sipas “Financial Times”, modelet kompjuterike që udhëhoqën vendimin për të izoluar hapësirën ajrore në disa vende të Evropës gjatë ditëve të fundit, janë të bazuara në një shkencë të paplotë dhe të dhëna të kufizuara. Drejtori i Përgjithshëm i BE-së për Lëvizshmërinë dhe Transportin, Matias Ruete, e përshkroi këtë si “një kuti e zezë në disa zona”, duke komentuar se shumë nga rezultatet që treguan modelet kompjuterike nuk mbështeten nga provat shkencore. Autoritetet evropiane nuk janë të sigurt mbi çështjet shkencore, se çfarë përqendrimi i hirit vullkanik është i dëmshëm për motorët e avionëve dhe çfarë përqendrimi kishte reja e hirit në qiellin evropian. Ruete theksoi se rezultatet e para të 40 testeve të fluturimit të kryera gjatë fundjavës nga linjat ajrore evropiane treguan se rreziku ishte më i vogël nga sa kishte rezultuar në modelet kompjuterike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›