E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafikuan 40 kile heroinë, 49 vjet burg gjermanëve e fierakut



TIRANE – Gjykata për Krimet e Rënda përfundoi dje shqyrtimin gjyqësor në ngarkim të tre gjermanëve dhe një shqiptari të akuzuar për trafikun e 40 kilogramëve heroinë, mbetur në tentativë. Togat e zeza i deklaruan fajtorë të pandehurit Daniel Englert, Franc e Rexhina Kiascek dhe Albert Pëllumbaj, të arrestuar nga operacioni policor “Kështjella” dhe dhanë për ta një total prej 49 vitesh burg. Vendimi u shpall ditën e djeshme nga një pesëshe gjyqtarësh të Krimeve të Rënda të kryesuar nga gjyqtarja Nertina Kosova. Pak më parë mbrojtësit e të pandehurve paraqitën konkluzionet e mbrojtjes në seancë, ku pretenduan pafajësi për klientët e tyre. Sipas vendimit, gjykata e vlerësoi të provuar akuzën e “trafikimit të narkotikëve në bashkëpunim”, mbetur në tentativë ndaj të pandehurve. Në përfundim togat e zeza vendosën 14 vjet burg për të pandehurin Daniel Englert, nga 11 vjet burg për bashkëshortët Franc dhe Rexhina Kiascek, të tre shtetas gjermanë. Për shqiptarin Albert Pëllumbaj, gjykata vendosi dënimin me 13 vjet burg. Për shkak të zbatimit të gjykimit me kohë të shkurtuar në Gjykatën për Krimet e Rënda, të katër të pandehurit përfitojnë uljen e një të tretës së dënimit. Gjykimi me kohë të shkurtuar u pranua nga gjykata në ditët e fundit të muajit shkurt. Këtë kërkesë nuk e paraqiti i pandehuri i pestë i kësaj dosjeje, biznesmeni nga Fieri, Z. Tafa. Ai po gjykohet në një proces të veçuar, me një trup tjetër gjyqtarësh tek Krimet e Rënda, në masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”. Në përfundim të operacionit policor të koduar “Kështjella”, në 2 maj të vitit 2009 u arrestuan pesë persona dhe u sekuestrua një sasi prej 40 kilogramësh lëndë narkotike e llojit heroinë. Arrestimet u realizuan në një hark të shkurtër kohor në Kakavijë, në Fier dhe në aeroportin e Rinasit. Sasia e drogës u bllokua në automjetin e bashkëshorteve gjermanë Kiascek. Sipas prokurorisë, sasia e narkotikut ishte futur nga Maqedonia. Ndërkohë që çifti i bashkëshortëve gjermanë do të ishin “korrierët”, të cilët do të mundësonin kalimin e saj në doganën e Kapshticës, aty ku edhe u bllokua droga. Pasi të kalonte në Greqi, lënda narkotike dyshohet se do të trafikohej drejt Italisë dhe Gjermanisë. Pas arrestimit, Gjykata për Krimet e Rënda caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” të për gjithë të pandehurit. Kjo masë u zbut më pas vetëm për të pandehurin Tafa, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Lartë. ar.ba

te denuarit

Daniel Englert 14

Albert Pëllumbaj 13

Rexhina Kiascek 11

Franc Kiascek 11

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›