Policia, patrulla në Lazarat
Policia e Gjirokastrës ka nisur të martën patrullimin e rregullt në komunën e Lazaratit, për herë të parë pas 12 vjetësh. Prej vitit 1998, kur në Lazarat u plagosën 7 anëtarë të forcave speciale RENEA, policia nuk hynte në këtë fshat të përfolur për kultivimin e drogës dhe përplasje me policinë. Drejtoria e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, bëri të ditur, se patrullat e përgjithshme të policisë së rendit do të qëndrojnë në komunën e Lazaratit me 3 turne. Sipas policisë, kjo do të rritë bashkëpunimin e komunitetit me policinë. Pak ditë më parë, në një takim të zhvilluar në policinë e Gjirokastrës, u fol për një plan të mirëfilltë masash, me qëllim zhdukjen e fenomenit të mbjelljes së kanabis sativës në këtë komunë. Pro këtij plani kanë qenë dhe pushtetarët vendorë. P.n