E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pijet alkoolike që prodhohen në vend, jo të gjitha cilësore



ISHP-ja ka kryer një studim për përmbajtjen e alkoolit metilit në të gjitha pije alkoolike. Prodhimi i rakisë në Shqipërinë e mesme ka rezultuar me përmbajtje të lartë të alkoolit metilik, i cili është i rrezikshëm për jetën e konsumatorëve. Ndërsa prodhimi i rakisë në zonën e Përmetit ka rezultuar brenda standardeve dhe është cilësuar si prodhimi më i shëndetshëm. Produktet alkoolike tradicionale të vendit, sikurse rakia, nuk duhet të mbeten jashtë vëmendjes përsa i përket sigurisë ushqimore të tyre. Sipas specialistëve të shëndetit publik, moskontrolli i metanolit (alkoolit metilik) në raki sjell një impakt të rëndë në shëndeti publik, deri dhe në raste vdekje dhe intoksikime. Studimi u realizua me 2 grupe mostrash në dy lokalitete, në Përmet, qytet me traditë në prodhimin e rakisë dhe zona e Shqipërisë së Mesme (Tiranë, Kavajë, Elbasan, dhe Fushë Krujë). Numri i mostrave të analizuara ishte i njëjtë, 17 për secilin lokalitet, ndërsa përveç rakisë së rrushit u analizuan dhe prodhimet e rakisë nga fruta të tjera, si manaferra, hurma, thana dhe kumbulla. Specialistja e ISHP-së, Lindita Molla shprehet se produkti i rakisë i prodhuar në Përmet ka rezultuar pa përmbajtje të alkoolit metilik. Molla shtoi se bazuar në studim, vlerat e metanolit të gjetura në rakinë e prodhuar në Shqipërinë e Mesme kanë rezultuar disa herë më të larta se standardi shqiptar. Sipas saj, kjo tregon se ky lloj produkti në këto zona është i rrezikshëm, pasi efekti në shëndet është negativ.

22 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›