E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptaret e Ligës së Europës, të hënën njohin kundërshtarët



Tri skuadra shqiptare, Flamurtari, Vllaznia dhe Dinamo, do të njohin të hënën, më 22 qershor, kundërshtarët e tyre në arenën ndërkombëtare në Ligën e Europës, pas shortit që do të hidhet në selinë e UEFA-s. Vllaznia e vendit të dytë dhe Dinamo e vendit të tretë në kampionatin shqiptar do të luajnë që nga raundi i parë i këtij kompeticioni, ndërsa fituesja e Kupës së Shqipërisë, Flamurtari, do ta nisë aventurën e saj nga raundi i dytë. Nuk do të jetë aspak i lehtë shorti për skuadrat shqiptare, si për Vllazninë e Dinamon, që do ta nisin aventurën e tyre nga turi i parë, edhe për Flamurtarin, që do ta nisë nga turi i dytë. Më 22 qershor, ato do të njohin kundërshtarët e tyre. Për dinamovitët dhe kuqeblutë shkodranë rreziku kryesor vjen nga skuadrat skandinave. Rosenborgu, Helsingborgu, Randers, por edhe qipriotët e Anorthosis Famagusta të Arian Beqajt janë skuadrat, për të cilat do urohej që të evitoheshin. Një kundërshtar mjaft i fortë mund të konsiderohet edhe Polonia Varshava, si dhe izraelitët e Bnei Yehuda. Në sërën e skuadrave tona që mund të kalohen dhe që shpresohet që të bien në short janë FC Lahti (Finlandë), Vetra (Lituani), Sligo Rovers (Irlandë), Dinaburg (Letoni), Szombathelyi Haladas (Hungari), Olimpi Rustavi dhe Zestaponi (Gjeorgji), Zimbru Chisinau (Moldavi) dhe Keflavik e Fram (Islandë). Vlonjatët mund t’i gëzohen faktit se e nisin nga turi i dytë aventurën, por realisht ata janë edhe më të rrezikuarit në shortin që do të hidhet më 22 qershor. Përballë tyre do të jenë në një vazo skuadra si: Steaua e Bukureshtit, Bazeli i Zvicrës, turqit e Gallatasarajit, Aalborg, serbët e Cerna Zvezda-s, Brondby, Metalurh Donetsk, Žilina, Rapidi i Vjenës, NAC Breda, Larisa e deri te austriakët e Sturm Graz e qipriotët e Omonias së Klodian Duros. Thuajse 80 për qind e skuadrave që renditen si elitare të raundit të dytë janë teorikisht më lart se Flamurtari i Vlorës, fituese e Kupës së Shqipërisë për edicionin që sapo u mbyll. Vetëm ekipe si: Patrick's Athletic e Derry City (Irlandë), NK Gorica (Slloveni), Rijeka (Kroaci), Rabotnicki (Maqedoni), HJK Helsinki dhe Honka (Finlandë) mund të konsiderohen si të barabarta me kuqezinjtë vlonjatë. Në këtë sezon në Europa League të marrin pjesë 193 skuadra nga 53 federata futbolli të kontinentit. Në raundin e parë do të marrin pjesë 46 skuadra, duke përfshirë këtu edhe Vllazninë e Dinamon nga Superliga shqiptare. Ky raund përbëhet nga 14 ekipet e renditura në vendin e dytë në kampionatet që renditen në bazë të koeficientit nga pozicioni 37-51 (përveç Lihtenshtejn); 29 ekipet që kanë zënë vendin e tretë në kampionate nga 22-51 (gjithmonë përveç Lihtenshtejn) dhe 3 ekipe që janë zgjedhur nga UEFA në bazë të “Iniciativës Fair Play”. Raundi i dytë ku do të luajë edhe Flamurtari do të ketë 80 skuadra.

Raundi i Parë
Hedhja e shortit: 22 qershor 2009
Ndeshjet e para: 2 korrik 2009
Ndeshjet e kthimit: 9 korrik 2009

Elitaret
Rosenborg (Norvegji)
Anorthosis (Qipro)
Helsingborg (Suedi)
Motheruell (Skoci)
Randers (Danimarkë)
Polonia Varshavë (Poloni)
Bnei Yehuda (Izrael)
Spartak Trnava (Sllovaki)
Slaven Belupo (Kroaci)
FC Lahti (Finlandë)
Vetra (Lituani)
Sligo Rovers (Irlandë)
Dinaburg (Letoni)
Rudar Velenje (Slloveni)
Dinamo Minsk (Bjellorusi)
MTZ-RIPO (Bjellorusi)
Shiroki Brijeg (Bosnjë)
Szombatheli Haladas (Hungari)
Olimpi Rustavi (Gjeorgji)
Zestaponi (Gjeorgji)
Zimbru Çisinau (Moldavi)
Keflavik (Islandë)
Fram (Islandë)

Sfidantët
Renova (Maqedoni)
Inter Baku (Azerbajxhan)
Simurq Zaqatala (Azerbajxhan)
Trans (Estoni)
Kalju (Estoni)
Vllaznia (Shqipëri)
Dinamo (Shqipëri)
Irtysh (Kazakistan)
Okzhetpes (Kazakistan)
Mika Yerevan (Armeni)
Banants Yerevan (Armeni)
Llanelli (Uells)
TNS (Uells)
Linfield (Irl. Veriut)
Lisburn (Irl. Veriut)
B36 Torshavn (Ishujt Faroe)
NSI Runavik (Ishujt Faroe)
UN Kaerjeng 97 (Luksemburg)
CS Grevenmasher (Luksemburg)
Buduçnost (Mal i Zi)
Sutjeska Niksiç (Mal i Zi)
Valeta (Maltë)
Birkirkara (Maltë)

UEFA, “thes” me 600 mijë euro për klubet shqiptare

Një “thes” i madh me euro për klubet shqiptare, pjesëmarrëse në Kupat e Evropës, do të marrin gjithsej këtë sezon nga UEFA një shumë prej 600 mijë eurosh. Tirana, (Champions), Flamurtari, Vllaznia dhe Dinamo (Liga e Europës) do të kenë premio të konsiderueshme nga UEFA për pjesëmarrjen në kompeticionet që organizon shtëpia evropiane e futbollit. Padyshim që kampionia e Shqipërisë, Tirana, është klubi që përfiton më shumë të ardhura. Tirana do të marrë gjithsej 330 mijë euro shpërblim nga UEFA. Sipas rregullave të këtij institucioni, klubi bardheblu merr 200 mijë euro për faktin që është shpallur kampion i vendit, ndërsa 130 mijë euro i merr për pjesëmarrjen në turin e parë të Ligës së Kampioneve. Flamurtari, Vllaznia dhe Dinamo, pjesëmarrëse në Ligën e Evropës (deri vitin e kaluar Kupa UEFA), përfitojnë secila nga 90 mijë euro për faktin që do të marrin pjesë në këtë kompeticion. Skuadra vlonjate merr pjesë direkt në turin e dytë të Ligës së Evropës, pasi është fituesja e Kupës së Shqipërisë, por kjo nuk ndryshon asgjë në lidhje me të ardhurat financiare.

Shpërblimet për Ligën e
Kampioneve 2009/2010

Ekipi kampion: 200.000 €
Turi i parë kualifikues: 130.000 €
Turi i dytë kualifikues: 130.000 €
Turi i tretë kualifikues: 130.000 €

Shpërblimet për Ligën
e Europës 2009/2010

Turi i parë kualifikues: 90.000 €
Turi i dytë kualifikues: 90.000 €
Turi i tretë kualifikues: 90.000 €

22 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›