E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inspektoriati Qendror, gjoba maksimale për 100 karburante

 

nertila maho

Cilësia e karbu-ranteve dhe dokumentacioni që disponojnë pikat e shitjes së tij kanë qenë pjesë e aksionit të Inspektoriatit Qendror Teknik gjatë dy muajve të kaluar. Sipas drejtorit të këtij institucioni, Virgjil Joti, nga kontrollet e bëra kanë hasur në një sërë shkeljesh për sa i përket dokumentacionit kurse cilësia e karburantit është vlerësuar si skandaloze. Dje në një konferencë për shtyp Joti ka bërë të ditur se nisma që ka marrë Inspektorati nuk është vetëm e momentit por do të vazhdojë për një kohë të gjatë. “Prej dy muajsh po kontrollojmë karburantet për të parë vërtetimet teknike lëshuar nga Inspektorati dhe autorizimet nga pushteti vendor” tha ai. Kontrolli i shtrirë në gjithë vendin ka vënë “në sitë” gjithë karburantet dhe shkeljet më të mëdha janë hasur në Tiranë, Lezhë, Fier dhe Lushnjë. Janë vendosur rreth 100 gjoba maksimale prej 500 mijë lekësh për pikat ku është konstatuar mungesë dokumentacioni apo cilësie të karburantit, ndërkohë që 9 subjekte që rezultojnë me shkelje të përsëritur do të ndiqen penalisht. Autogazet, janë një pikë tjetër ku është përqendruar kontrolli i Inspektoratit. Drejtori Joti tha se të gjitha autogazet që nuk disponojnë dokumentacionin do të bllokohen, kurse për ata që mbushin bombula gazi për familjarë do të ndiqen penalisht. Sipas drejtorit të IQT-së është e përcaktuar me ligj se bombulat mund të mbushen vetëm nga autoriteti përkatës që është caktuar nga Inspektorati dhe çdo abuzim nga ana e subjekteve të ndryshme do të dënohet. Nga kontrollet deri tani janë bllokuar me shiritin e Inspektoratit 23 subjekte dhe përkatësisht 18 karburante dhe 9 autogaze. Po kështu kanë rezultuar 20 shkelje në tregun e shitjes së bombolave nga të cilat 9 janë bllokuar për tregtim të mallit pa normat e duhura të sigurisë apo jashtë serie. Janë konfiskuar 340 bombola gazi. Lidhur me këtë aspekt Joti theksoi se do të vazhdojë kontrolli i imtësishëm për çdo pikë që tregton bombola gazi për familjarët të cilat mund të përbëjnë rrezik. “Theksoj se kjo nismë nuk është një kontroll rutinë nga ana e Inspektoratit, ka filluar në tetor dhe do të vazhdojë për një kohë shumë të gjatë. Ata që do të kapen me shkelje do të gjobiten apo ndiqen penalisht” theksoi drejtori Virgjil Joti në fund të konferencës së ditës së djeshme.

kontrolli

    100 subjekte të gjobitura
    18 karburante të bllokuar
    9 autogaze të bllokuar
    340 bombula të bllokuara
    9 subjekte në ndjekje penale

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›