E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca, dështon takimi i gjyqtarëve

 

Fatos Mahmutaj

Dështon përpjekja e Gjykatës së Lartë për të arritur një mbledhje mbarëkombëtare të gjyqtarëve shqiptarë për të vendosur nëse duhej apo jo të mblidhej konferenca gjyqësore. Konferenca duhet të zgjedhë nga ana e saj katër anëtarët përfaqësues në KLD të cilëve u ka mbaruar mandati. Kryesimin e takimit e kishte kryegjyqtarja shqiptare Shpresa Beçaj, ndërsa në të dy anët e saj ndodheshin krerët dhe përfaqësues të dy shoqatave të togave te zeza si dhe disa gjyqtarë. Edhe pse debati zgjati më tepër se gjashtë orë, u vendos, që, minimalisht do të duhen edhe një takim tjetër, i njëjtë me këtë, për të vendosur nëse do të mblidhet apo jo konferenca gjyqësore. Në sallën e Akademisë së Arteve, ku ishte vendosur të zhvillonte punimet mbledhja nuk u arrit që gjyqtarët të diskutonin të gjithë rendin e ditës së mbledhjes, çka u desh që takimi të vazhdonte pas drekës në sallën e Kolegjeve të Bashkuara në Gjykatën e Lartë. Por nuk qe kjo arsyeja e vetme që çoi në dështimin e takimit. Arsyeja kryesore ishte pjesëmarrja e ulët e togave të zeza në takim. Nga më tepër se 300 toga të zeza që ushtrojnë detyrën në të tre shkallët e gjyqësorit shqiptar, në pjesën e parë të takimit në sallën e Akademisë së Arteve, në momentin më të mirë arritën të mblidheshin vetëm 119 gjyqtarë, përfshi edhe anëtarë të Gjykatës së Lartë. Por edhe gjyqtarët e pranishëm nuk arritën që të binin në të njëjtin mendim, pasi njëri grup, i cili i referohej Kushtetutës pretendoi se konferenca duhet të mblidhej vetëm me ligj të posaçëm, ndërsa grupi tjetër pohoi se Konferenca Gjyqësore mund të mblidhej edhe në mungesë të ligjit, pasi kjo presupozon ushtrimin e një të drejte kushtetuese. Debatet mbi këtë pikë si dhe disa probleme të tjera që shqetësojnë aktualisht gjyqësorin u bënë shkak që mbledhja të humbte qëllimin e saj për të votuar për konferencën, ndërsa drejtuesja e takimit kryetarja e Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj i njoftoi të pranishmit se salla ku po zhvillohej takimi ishte pronotuar deri në orën 13:00. Pas kësaj gjyqtarët u larguan për drekë, ndërsa një orë më vonë takimi vijoi në ambientet e Gjykatës së Lartë, ku numri i gjyqtarëve pjesëmarrës nuk i kalonte 70, pasi një pjesë e mirë ishin larguar pas përfundimit të drekës. Pjesa e dytë e mbledhjes pati shumë pak diskutime, pasi momentet më të shumta të saj ishin votimet, ku përfundimisht u vendos që kryegjyqtarja Shpresa Beçaj të drejtonte një grup pune që do të përpilonte draftin e statutit të Konferencës Gjyqësore, i cili pritet që në një mbledhjeje tjetër gjyqtarësh, të shqyrtohet dhe votohet. Pikërisht në këtë mbledhje, nëse do të ketë sukses, pritet të përcaktohet koha dhe rendi i ditës për Konferencën Gjyqësore.

Hajdari: S’është mbledhje por takim
Gjykatësja kryeqytetase Fatmira Hajdari, pretendoi gjatë aktivitetit të djeshëm të gjyqtarëve, se ai nuk mund të ishte mbledhje por, thjesht një takim. Hajdari e argumentoi këtë duke u nisur nga ftesa që i ishte dërguar gjithë gjyqtarëve nga organizatorët, e cila ishte formale dhe nuk e përmbante të shënuar faktin se takimi ishte organizuar dhe do të drejtohej nga nën kryesimin e kryetares së Gjykatës së Lartë.

“Kondi e ktheu konferencën në plenum”
TIRANE – Hysni Demiraj dhe Musa Halili, të dy gjykatës Apeli, i pari edhe anëtar i KLD-së “sulmuan” dje gjatë mbledhjes së gjyqtarëve ish-kreun e Gjykatës së Lartë Thimio Kondi, për ligjin e Konferencës Gjyqësore, shfuqizimi i të cilit ka sjellë pasojat aktuale në gjyqësorin shqiptar. Demiraj, i cili foli i pari, duke aluduar në ish-kryetarin Kondi, pohoi se: “Ai zotëria, që sot nuk ia përmend emrin me të drejtë morale sepse kam debatuar gjatë me të gjatë kohës që ka qenë në pushtet. Ai tashmë është në punën e vet, ka bërë aq sa ka ditur. Ai e mblodhi për ta kthyer Konferencën Gjyqësore në një plenum, që ta manipulojë, t’i zgjidhë (anëtarët e KLD-së.red) me kryetarë gjykatash, si të dojë, etj etj. Një shoqatë brilante, bëri sevap dhe kërkoi e hoqi atë ligj”. Po kështu edhe Halili, aktualisht gjykatës apeli, por që suprimimi i vendit të punës në Apelin Ushtarak, ka bërë që të ushtrojë detyrën vetëm si i komanduar, nuk pranoi të përmendte emrin e Kondit, gjatë sulmit ndaj tij, duke thënë: “Ai, person, të cilit edhe unë nuk dua t’ia përmend emrin”.            f.m

KLD, 4 vende bosh
Aktualisht Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka katër vende bosh që janë shkaktuar nga lëvizjet e anëtarëve të këtij institucioni, dhe që nuk janë zëvendësuar për shkak të mos mbledhjes së Konferencës Gjyqësore. Njëri prej anëtarëve ka hequr dorë nga gjyqësori pasi është deputet, dy janë larguar për në Gjykatën e lartë dhe Kushtetuese, ndërsa të katërtit i ka mbaruar mandati pesëvjeçar dhe nuk mund të marrë pjesë në mbledhjet e KLD-së.

Pjesëmarrja
Mbledhja e djeshme e gjyqtarëve shqiptarë u karakterizua nga një pjesëmarrje e ulët, pasi të pranishëm, së bashku me anëtarët e Gjykatës së Lartë ishin 119 vetë, nga më tepër se 300 toga të zeza që ushtrojnë profesionin ne vend. Për më tepër në sy binte mungesa e mjaft prej gjyqtarëve kryeqytetas si dhe gjyqtarëve që janë njëkohësisht edhe anëtarë të KLD-së. Në pjesën e parë të mbledhjes ishin të pranishëm veç një e treta e gjyqtarëve, ndërsa në pjesën e dytë më pak se çereku i trupës gjyqësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›