Rama: “OSBE-ja është e interesuar për hetimin e zgjedhjeve pa kushte”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, pas përfundimit të takimit të tij në Vjenë, përshëndeti deklaratën e Presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Joao Soares, për hetimin e zgjedhjeve parlamentare pa kushte. “Pa dyshim, zoti Soares nënvizoi edhe bindjen e tij se opozita duhet të kthehet në Kuvend dhe unë i rishpreh edhe publikisht vullnetin tonë për ta mbyllur bojkotin me t’u mbyllur përpjekja e qeverisë për ta kufizuar e kushtëzuar komisionin hetimor parlamentar duke nxjerrë kutitë e votimit nga objekti i hetimit”, - tha Rama. Kryesocialisti nënvizoi se kryeministri Sali Berisha duhet të dëgjojë deklaratat e ndërkombëtarëve. “Sali Berisha duhet t’i dëgjojë kambanat që bien nga ndërkombëtarët për krizën përpara se ajo të bëhet e papërballueshme për shqiptarët”, - u shpreh Rama. Ai theksoi faktin se e gjithë bota është e interesuar për hetimin e zgjedhjeve. “Ne jemi në bojkot, sepse demokracia është në krizë dhe fundi i bojkotit fillon me transparencën e plotë jo për të ndryshuar rezultatin, por për të treguar manipulimet në zgjedhje”, - theksoi Rama.
19 Shkurt 2010