E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energjetika elektrike, ministri Ruli paralajmëron sërish rritje të çmimit në 2009-n

Çmimi do të rritet gradualisht si pasojë e rritjes së kostos

Ervin Koçi

Viti 2009 do të nisë edhe me një tjetër shtrenjtim të kostos së jetesës për qytetarët shqiptarë, me rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Lajmin jo fort të këndshëm e ka bërë të ditur dje ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, i cili ka deklaruar se çmimi do të rritet në mënyrë graduale vitin që vjen, pasi janë rritur kostot në vend dhe në tregun ndërkombëtar. Sipas tij, qeveria dhe METE kanë nisur negociatat me kompaninë çeke “ÇEZ”, për kontratën e privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndajres, ku pjesë e rëndësishme do të jetë edhe çmimi i energjisë për konsumatorët. “Rritja e çmimit të energjisë elektrike është e pashmangshme në kushtet kur janë rritur ndjeshëm kostot e prodhimit të energjisë”, - ka deklaruar ministri i Energjetikës, Genc Ruli. Sipas tij: “Objektivi politik për qeverinë shqiptare për privatizimin në sektorin e energjisë ka marrë në konsideratë dhe rritjen e tarifave të energjisë elektrike, të cilat do të synojnë të mbulojnë koston”. Këtë deklaratë, ministri Ruli e bëri gjatë Forumit të Komunitetit të Energjisë për Europën Juglindore. Kjo nismë, e cila bazohet në memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar një vit më parë në Vienë nga të gjitha vendet, synon krijimin e një tregu të përbashkët energjetik dhe mbrojtjen e konsumatorëve ,veçanërisht atyre të varfër.

Problemi i energjisë

Energjia elektrike është një problem jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjitha vendet e Ballkanit. Sigurimi i tregjeve dhe burimeve të përhershme të energjisë duket se ka marrë fund dhe për pasojë vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim duhet të përballen me problemet në rritje për këtë mall me vlerë. Ministri Ruli tha: “Shqipëria vazhdon të ketë probleme në furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve të saj, mungesë të burimeve primare të energjisë të rrjeteve të gazit natyror dhe ka varësi të plotë të prodhimit të energjisë elektrike nga burimet hidrike”. Krijimi i tregut të përbashkët energjetik konsiderohet si një zgjidhje për të unifikuar burimet prodhuese dhe për të garantuar furnizimin me energji për konsumatorët. Ambasadori i Këshillit Europian në Tiranë, Helmud Lohan, i pranishëm në këtë Forum, tha: “Memorandumi adreson nevojën për të mbrojtur konsumatorët. Një element shumë i rëndësishëm i tij është dialogu social, kjo veçanërisht në këtë situatë të krizës financiare globale, pasi impaktet që krijojnë nuk do të ndalen vetëm te vendet që e kanë nënshkruar atë”. I pranishëm në këtë Forum ishte edhe kryeministri Berisha, i cili u shpreh: “Ekzistojnë pengesa serioze të lidhura me interkonjeksionin, por deri diku edhe me burimet aktuale të pamjaftueshme, për një rajon i cili ka një dinamizëm të madh ekonomik”. Më tej, Berisha shtoi: “Shqipëria mbetet e hapur për të bashkëpunuar për një treg unik energjetik”.

Shitja e OSSH-së

Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, tha: "Sot kanë nisur negocimet për hartimin e kontratës së blerjes së aksioneve të OSSH-së nga kompania çeke CHEZ". Ruli sqaroi se me mbështetjen e ekspertëve të huaj dhe konsulencën e institucioneve ndërkombëtare në Shqipëri, si dhe përmes një procesi tepër transparent, u realizua tenderi për privatizimin e 76 për qind të aksioneve të kompanisë shtetërore të OSSH-së, ku u shpall fituese kompania çeke "CHEZ". Sipas tij, në hartimin e dokumentacionit ligjor për privatizimin e kësaj kompanie është marrë në konsideratë dhe trajtimi i punonjësve që rrezikohen të mbeten pa punë. Duke vlerësuar rëndësinë e privatizimit të OSSH-së, ministri Ruli u shpreh: “Ky është një hap në kuadër të reformave për zhvillimin e sektorit të energjetikës në vendin tonë”.

Ruli: “Synojmë të krijojmë një treg të përbashkët energjetik”

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, në konferencën për shtyp të zhvilluar dje me përfaqësues të Forumit të Komunitetit Energjetik, tha: “Traktati i Komunitetit të Energjisë është një marrëveshje ndërkombëtare ku vendet pjesëmarrëse angazhohen për të zhvilluar në koordinim mes tyre politikat energjetike, reformat në sektorin energjetik dhe krijimin e një tregu të përbashkët energjetik”. Ai renditi impaktet sociale të reformave që po ndërmerren në sektorin energjetik. “Impakti shfaqet së pari në numrin e madh të punonjësve që janë të angazhuar në sektorin tonë energjetik dhe që janë punësuar në tri kompanitë e mëdha energjetike. Çdo hap që qeveria do të marrë drejt liberalizimeve apo privatizimit të sektorit energjetik duhet të shoqërohet detyrimisht me paketa mbrojtëse për punonjësit që preken nga ky veprim. Së dyti është impakti mbi zhvillimin ekonomik dhe për vetë konsumatorin. Pa dyshim, kërkesë kryesore është t’u sigurojmë konsumatorëve siguri në furnizimin me energji, një furnizim sa më cilësor dhe njëkohësisht edhe me kosto të pranueshme për ekonominë dhe familjarët”, - tha ministri Genc Ruli. Ai solli në vëmendje të pjesëmarrësve në këtë forum përpjekjet që ka bërë Shqipëria për të plotësuar kërkesat e traktatit të komunitetit të energjisë lidhur me përshtatjen e legjislacionit sipas standardeve të Bashkimit Europian.

19 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›