E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pikon çatia, ndërpritet ndeshja

Ndeshja e parë gjysmëfinale e play-offit në basketboll ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Pejës, nuk e pati përfundimin e dëshiruar. Në fakt, kjo përballje është ndërprerë në pjesën e dytë pasi që, edhe pas 11 vjetësh që kur ka përfunduar lufta në Kosovë, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë ndodhi një gjë e pazakontë - pikonte çatia, pas shiut që binte jashtë Palestrës.

Pas dy ndërprerjesh të shkurtra, organizatorët nuk patën sukses në përpjekjet e tyre për ta evituar pikimin në parket, kështu që tek rezultati 51:39 për prishtinasit, gjyqtarët vendosën që kjo ndeshje të ndërpritej, pasi që lojtarët rrezikonin të lëndoheshin seriozisht.

Sipas propozicioneve të garave të FBK-së, ndeshja do të vazhdojë me të njëjtin rezultat, pas 24 orësh. “Ndeshja u ndërpre sepse nuk kishte kushte për t’u vazhduar. Sipas rregullave, loja vazhdon pas 24 orësh, me rezultat të njëjtë dhe me kohën e njëjtë, 5 minuta e 24 sekonda pa përfunduar periudha e tretë. Loja do të vazhdojë kur të krijohen kushtet”, ka thënë delegati i ndeshjes, Nexhdet Hoxha.

Prishtinasit e nisën më mirë lojën, duke udhëhequr në periudhën e parë deri në 10 pikë, 24:14, por pejanët e shkrinë këtë rezultat, për të shkuar në pushimin e parë dy minutësh me 4 pikë epërsi për bardh e kaltrit, 24:20. 10 minutëshi i dytë ishte i baraspeshuar, me vendësit që e mbyllën 14:13 këtë çerek. Pjesa e parë përfundoi me rezultat 38:33 për mikpritësit.

Fituesit e freskët të Kupës së Kosovës nisën ta ngrisin epërsinë e tyre në çerekun e tretë, por fatkeqësisht erdhi tek ndërprerja e detyrueshme e lojës tek rezultati 51:39. Më i miri, deri në atë kohë, në radhët e prishtinasve ishte Carcamo me 13 pikë, kurse Pushiq i mysafirëve realizoi po ashtu 13 pikë.

Ndeshja Sigal Prishtina-Peja do të vazhdojë të hënën nga ora 20:00, në vend të njëjtë - në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›