E Shtunë, 31 Tetor 2026

Piktori 50-vjeçar, rekord ekspozitash në vend

Autori i Lajmit: Fabiola Kurteshi
Muhamet Kërpaçi quhet piktori që është bërë shumë i njohur për karikaturat e tij të shumta dhe ekspozitat e tij personale, që arrijnë në 25. Këto punime janë paraqitur në disa prej qyteteve kryesore të vendit në një periudhe 24-vjeçare. Artisti, aktualisht në një moshë 50-vjeçare, ka realizuar rreth 12000 punime gjatë gjithë karrierës së tij artistike. Si artist kontemporan dhe me stilin e tij agresiv ka tërhequr vëmendjen e shumë artdashësve. Shumë prej punimeve të tij janë pjesë e koleksioneve private në vende të ndryshme të botës si në SHBA, Kanada, Meksikë, Argjentinë, Brazil, në Azi dhe në disa shtete të Evropës. Aktualisht piktori ekspozon punimet e tij në galerinë e quajtur “Art Galeri Kërpaçi” në zonën e ish-bllokut. Kjo galeri është hapur në vitin 1998, në funksionin e biznesit, pasi, sipas tij, arti me biznesin ka një lidhje të fortë. Ai ka botuar 1000 karikatura në shtypin shqiptar dhe atë të huaj. Gjithashtu ka hapur një numër të konsiderueshëm ekspozitash në disa prej qyteteve kryesore të vendit. Aktiviteti i tij si piktor ka një shtrirje kohore shumë të gjërë që nga viti 1980 deri në vitet 1990, kur ka punuar si karikaturist. Pas viteve 1994 piktori ka bërë punë të ndryshme si reklamues.
Gjatë viteve 90 ai ka jetuar në Tetovë, ku ka realizuar një ekspozitë në sallën e Pallatit të Kulturës të këtij qyteti. Asaj kohe piktori bënte pjesërisht piktura murale. Në Tiranë mund të veçojmë ekspozita si ajo e realizuar më 1993 në ambientet e Muzeut Kombëtar. Ndërsa gjatë viteve 2003-2004 ka çelur dy ekspozita të tjera të përbashkëta në galerinë T&G dhe Hotel Rogner, në bashkëpunim me piktorin gjerman Ditrih Shoenfelder në kohën kur ai ishte sekretar i parë i ambasadës gjermane. Kërpaçi thotë se “e konsideroj veten shumë me fat, pasi ky biznes më jep mundësinë të ekspozoj shumë punime të mia dhe t i shes ato”. Në këtë galeri janë ekspozuar 500 punime të llojeve të ndryshme si peizazhe, portrete dhe kompozime. Ndërsa pikturat, të cilat kanë për të vlera më të mëdha artistike, i ka paraqitur në disa ekspozita personale. Kërpaçi ndihet i gëzuar që "në gjithë këtë koloni të madhe artistësh, të cilët ditë pas dite janë në luftë për ekzistencë, e konsideroj veten mjaft të suksesshëm në këtë treg artistik”. “Punimet i bëj në mënyrë artistike, por kur ato materializohen, atëherë është shumë më mirë. Në qoftë se këto punime bëhen pronë e njerëzve dhe vendosen nëpër banesat e tyre, kjo më gëzon dhe më bën të lumtur. Nuk dua që këto piktura t i magazinoj këtu, pasi do ta klasifikoja veten si artist i dështuar”,- tha ai. Pikturat e tij shumëngjyrëshe, nganjëherë agresive, janë frymëzime të momentit, vizione që artisti i karakterizon si pasqyra të momentit, ai i fotografon në mendje për t i hedhur bukur në telajo. Aktualisht në këtë galeri ndodhen me qindra piktura, ky numër nuk reduktohej, pasi Muhameti punon çdo ditë, edhe pse disa prej tyre mund t i shesë, ato i japin kurajon të sjellë më shumë ide të reja.

Biografi:
Muhamet Kërpaçi ka lindur në Kukës, më 7 mars 1958. Studimet e larta i ka mbaruar në vitin 1980 në Akademinë e Arteve (pikturë). Nga viti 1984 është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ka botuar 1000 karikatura në shtypin shqiptar dhe të huaj. Ka hapur 25 ekspozita personale me karikatura në 22 rrethe të Shqipërisë si: Shkodër, Elbasan, Pukë, Peshkopi, Durrës, Lezhë, Kukës, Berat, Skrapar, Gramsh, Tepelenë, Përmet, Gjirokastër, Sarandë, etj. Pas vitit 1993 ka hapur një ekspozitë personale në pikturë në Muzeun Historik Kombëtar, si dhe dy ekspozita të përbashkëta në galerinë T&G, Hotel Rogner, në bashkëpunim me piktorin gjerman Ditrih Shoenfelder.
Ky lajm është publikuar: 11/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›