E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDS: Berisha të japë dorëheqjen

Partia Demokracia Sociale i kërkon Kryeministrit Berisha të japë dorëheqjen dhe të vihet në dispozicion të drejtësisë, për të dhënë shpjegime 

 urgjente rreth fakteve tronditëse të publikuara në SHBA, për gjithçka di rreth aferave të trafikut të armëve të kryera nga kabineti i tij qeveritar, inkurajon dhe mbështet Prokurorinë e Përgjithshme për zbardhjen e çështjes së Gërdecit. Sekretari politik i PDS-së, Artur Duçkallari, theksoi dje në një konferencë për shtyp, se kjo parti ka kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme “të shpejtojë dhe thellojë procedurat për zbardhjen e përgjegjësive në çështjen e Gërdecit dhe trafikun e armëve, pasi shqiptarët kërkojnë dhe aspirojnë drejtësi dhe shtet ligjor”. Sipas Duçkallarit, “PDS do të vazhdojë të mbështesë dhe inkurajojë me forcë përpjekjet e Prokurorisë së Përgjithshme për të zbardhur deri në fund çështjen e Gërdecit dhe trafiqet e paligjshme të armëve”. Përpara kësaj situate, PDS, sipas tij, vlerëson se Presidenti i Republikës duhet t’u japë garanci publike organeve të hetimit dhe atyre të drejtësisë, për të përballuar çdo presion politik dhe ndërhyrje të dyshes Berisha-Topalli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›