Kryeprokurorja Rama në Berat: Zbardhni ngjarjet e ‘97-ës
BERAT - Kryeprokurorja Ina Rama u kërkoi dje vartësve të saj në Berat hapjen e dosjeve të vitit 1997. Gjatë analizës së punës një vjeçare të kësaj Prokurorie, Rama përgëzoi për punën e kryer deri më tani, por ndërkohë e vuri theksin në intensifikimin e punës për parandalimin e krimeve dhe të korrupsionit. Ajo nënvizoi se ndaj këtij fenomeni nuk duhet pasur mëshirë. Ndërsa gjatë analizës, kreu i Prokurorisë së Beratit, Xhemal Saliaj, referoi me shifra konkrete në lidhje me punën e kryer nga stafi i prokurorëve, me të cilët ai bashkëpunon. Sipas shifrave zyrtare, në Prokurorinë e Beratit janë trajtuar 767 kallëzime dhe 509 ankimime. Një theks i veçantë gjatë analizës u vu te dosjet ende të pazbardhura të 97-ës. Janë gjithsej 30 dosje, 7 prej të cilave janë hapur, ndërsa pjesa tjetër do të hapen së shpejti, ku pritet të vihen para ligjit autorët e tyre. Sipas prokurorit Saliaj, dosjet e mbetura do të referohen shumë shpejt. Ndërsa u fol edhe për ato të zbardhura, autorët e të cilave janë arrestuar pas operacioneve të suksesshme të Prokurorisë në bashkëpunim edhe me policinë e këtij rrethi. Në fund të takimit, Rama dha porosi të veçantë për etikën e prokurorëve, ndërsa i përgëzoi ata për punën e kryer deri më tani. d.xh