E Shtunë, 31 Tetor 2026

Piktori durrsak, fitues i çmimit të parë në Itali

DURRES- Piktori durrsak Bajram Sallaku ka "rrëmbyer" disa ditë më parë Çmimin e Parë në konkurimin "Ngjyrat e kufijve" që u zhvillua në qytetin e Mesagnes, në Italinë jugore. Ka qenë një përvojë e bukur për artistin 47-vjeçar, i cili është nisur nga Shqipëria me ndjesinë e fitores. I njohur si peisazhist, piktori i diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, është pjesmarrës në disa ekspozita kolektive dhe punimet e tij zbukurojnë koleksionet private në nga Brescia e Milano në Frakfurt dhe Boston.

Bashkë me skulptorin e njohur Qazim Kërtusha ata kanë përfaqësuar Durrësin në edicionin e dytë të Ekspozitës së arteve figurative përtej kufijve, ku morrën pjesë 15 autorë nga Italia, Mali I Zi, Greqia dhe Shqipëria.
"Ishte shumë kënaqësi kur pamë punimet tona të vendosura në sallën kryesore të kështjellës normane Svevo të qytetit të vogël në rajonin e Puglias", tregon për ATSH-në, Bajram Sallaku, autori fitues, i cili kishte ekspozuar dy tablo. Pranë tyre qëndronte edhe figura në bronz me lartësi 60 cm, punuar nga Qazim Kërtusha dhe me titullin "Tumankuqja".

"Peisazhi në punimet e Bajram Sallakut shprehet me penelata të shpejta dhe me shumëngjyrësi të ndezur dhe vibruese", shkruan në katalogun e ekspozitës kuratorja Rita Tondo, docente e pikturës në Akademinë e Arteve të Bukura në Lecce, ndërsa pranë fotos së figurinës së Qazim Kërtushës shkruhet se "ai trajton figurën njerëzore në esenzën e formave të saj".

Artistët durrsakë kanë mbërritur në Mesagne në ditën e fundit të ekspozitës, me dëshirën dhe bindjen që veç paraqitjes dinjitoze të sillnin një trofe artistik në Shqipëri, por janë nisur edhe për të përfaqësuar Durrësin, pjesmarrëse së bashku me 10 partnerë të tjerë në këtë project. "Për tre javë radhazi, që nga 6 gushti, tablotë kishin zënë vend në mjediset e kështjellës mesjetare Svevo", tregon Qazim Kërtusha. Në fakt, surpriza e mbrëmjes finale ishte pikërisht konkurimi i drejtpërdrejtë me tablotë që duheshin punuar në Mesagne.

Kolegë piktorë nga katër vënde filluan proçesin artistik. Mes tyre Speranza e Scarciglia, Camassa e Guarini, Cariolo e de Nitto, Muratoviç e De Simone, Tsitos e Soskiç. "Nuk mund ta humbisnim këtë rast, ndërhyn Bajrami. Iu vumë punës mjaft entusiaztë dhe në një telajo tjetër punonte edhe Qazimi, i cili pikturon shumë rrallë, por që këtë herë e përfundoi më shpejt konceptimin e tij".

Punimet e përfunduara kanë krijuar një ekspozitë të re, në sallën e së cilës janë dhënë edhe çmimet që kanë shpallur fitues të vendit të parë piktorin durrsak Bajram Sallaku me tablonë e tij "Maratona e artistëve". Kuajt drejt kalasë mesjetare ishin në qendër të tablosë duke dhënë mesazhin e një konkurimi artistik, tregon Bajrami, pas kthimit nga Italia. "Përtej kënaqësisë së trofeut na bëri shumë përshtypje pozitive mikpritja dhe kujdesi që treguan për ne, artistët shqiptarë, nënvizon Qazim Kërtusha. E ndjemë vehten të vlerësuar në guidën nëpër qytet, atje ku u njohëm me monumente dhe objekte arkeologjike të restauruara dhe të vizitueshme për të gjithë", vijon Kërtusha impresionet e tij nga udhëtimi në qytetin e vogël jugor të Mesagnes.
"Një qytet nga ku mund të mësojmë shumë edhe ne banorët dhe intelektualët be një qyteti me histori 3000-vjeçare", përfundon Kërtusha.

(d.b/ATSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›