E Diel, 1 Nëntor 2026

The New York Times: “Shqiptarët: E shporrim turkun për një javë”

Gazeta amerikane tregon për Perandorinë Otomane në prag të shpërbërjes. Përse shqiptarët nuk u pushtuan nga turqit dhe cilat ishin gabimet e tyre?

(Vijon nga numri i kaluar)

Një kontroll në zyrat qendrore të Komitetit testoi me përpikëri shkatërrimin e tij. Dhomat janë të hapërdara, me copëra mobiliesh, gazetash dhe librash që ishin grisur, të shpërndarë andej- këndej. Kishte informacion se dokumentet e rëndësishme ishin marrë prej zyrave, duke nxjerrë në shesh listën e anëtarëve të Komitetit dhe çështje të tjera komplekse të tij, që lidheshin me vrasjet politike. Në aspektin e çështjeve të tanishme është domethënës toni lajkatar i përshtatur ndaj grupit, në votimin e shpallur këto ditë nga Dhoma. Ky grup deklaroi në mënyrë të sinqertë se qëndrimi ushtarak solli pakënaqësi popullore, me mefshtësinë e kabinetit të kaluar, dhe që ministri për këtë mund të ripunojë një skemë tjetër, që të plotësojë dëshirat e ushtrisë.
Besimi publik nuk është rikthyer në të gjitha kuptimet, edhe pas krijimit të kabinetit të ri, me gjithë përshtypjen e shkëlqyer që u prodhua pas emërimit të Nazmi Pashës si komandant i Korpusit të Parë të Ushtrisë dhe kjo ishte përforcuar nga emërimi i Menduh Pashës, një tjetër oficer i zoti i Adrianople-s, që të komandojë Divizionin e Parë në Kostandinopojë. Ethem Pasha, ministri i ri i Luftës, dhe Nazmi Pasha këto ditë bënë rrathë barrikadash në qytet dhe i paralajmëruan ushtarët që t’u binden oficerëve. Ata ishin përzemërsisht të dashur dhe të hapur.
Numri i rasteve gjatë trazirave të ditëve të fundit nuk ishte rritur, por besohej të ishte krahasimisht më i vogël. Pohohej se shumë oficerë maskoheshin si të zakonshëm dhe merrnin pjesë në lëvizje, duke tentuar të konfirmojnë pohimin se kryengritja ishte drejtuar e gjitha kundër atyre oficerëve të ushtrisë që ishin anëtarë të Komitetit të Bashkimit dhe Progresit.
Riorganizimi i Ushtrisë Turke
Në prag të kryengritjes, në radhët e trupave në Kostandinopojë, ishte përhapur fjala nga Zyra e Luftës se shqiptarët në ushtri shumë shpejt do të transferohen në Kosovë; trupat arabe do të përfshihen brenda Korpusit të Pestë të Ushtrisë, me zyra qendrore në Damask dhe kurdët dhe lazet mund të kthehen drejt vendeve të tyre. Në këtë mënyrë, Rojet e famshme Perandorake të Yildiz Kiosk ishin shpërndarë dhe vetëm një grup i vogël truprojash mund të mbetej në Pallat.
Nisja e një rishpërndarjeje të të gjithë trupave ishte një ide e qeverisë së Turqve të Rinj (xhonturqve). Është e mundur që ky lajmërim të precipitojë çështjet në Kostandinopojë, por ushtarakët shohin pak efektivitet nga riorganizimi i bërë prej qeverisë, e cila kishte ardhur në pushtet verën e kaluar.
Selaniku është qendra e Korpusit të Tretë të Ushtrisë dhe atje ishte shpallur Kushtetuta e re më 24 korrik të vitit të kaluar. Atje nisi i pari revolucion për mbajtjen fort të trupave në ushtrinë e Sulltanit. Oficerët dhe çereku i ushtarëve kishin mbajtur për një kohë të gjatë ide të përparuara. Si Selaniku është edhe Manastiri, një vilajet i Maqedonisë, por atje ofrohej një situatë më e mprehtë për shkak të kombësive të ndryshme që ndodheshin atje. Një divizion i Korpusit të Tretë të Ushtrisë është stacionuar atje. Selaniku është 250 milje larg Kostandinopojës dhe është i vendosur në një kryqëzim të tri hekurudhave, ku njëra prej tyre shkon direkt nga Lindja në kryeqytetin turk.
Shqiptarët, këta antiotomanë
Shqiptarët që kanë qenë gjithmonë të shquar në të gjitha trazirat e brendshme që bëheshin në Turqi, nuk ishin të përfshirë rregullisht në Ushtrinë Turke. Në të vërtetë, vendi i tyre, i cili shekuj më parë ishte limani për Romën e lashtë, nuk ishte pushtuar kurrë i gjithi nga turqit. Shumë shqiptarë modernë janë pasardhës të drejtpërdrejtë, gladiatorë bashkëkohës të Spartakut. Në vitin 1478 ata ishin kthyer në varësi nominale të shtetit turk, por që atëherë ata e kishin parë me përbuzje zgjedhën otomane, duke kontribuar vetëm me ushtarë në nivele të ndryshme të shtetit perandorak, vetëm që të shmangnin pagimin e taksave dhe të plaçkës. Ata ishin dërguar rregullisht në Perandori, ku ata gjithmonë merrnin pjesën e luanit. Si luftëtarë, shqiptarët janë vlerësuar si më të zotët në Ushtrinë Turke, por besnikëria e tyre ndaj “Naltmadhnisë” (Portës së Lartë), ishte shenjë injorance, pasi nuk hezituan të luftonin kundër flamurit rus gjatë luftës së Krimesë dhe nën të njëjtin flamur edhe në Luftën Ruso-Turke në vitin 1876. Opinioni i shqiptarëve për turqit del nga një intervistë që kishim me njërin nga drejtuesit shqiptarë, të përmbysur së fundi, ku thuhej se Shqipëria po ndjek Bullgarinë, e cila kishte shpallur pavarësinë e saj. Ai tha: “Nëse ne ngrihemi, asnjë turk nuk do të mbetet i gjallë deri në fund të javës. Ne i përzëmë turqit dhe shpresojmë të fitojmë pavarësinë, siç e ka Franca apo disa vende të tjera larg nesh.
Turqit e pamend mendojnë se ne jemi fëmijë dhe që ne nuk shquhemi për motive të larta. E gjitha kjo është shumë zbavitëse. Ne pranuam shkollat turke dhe paranë e tyre dhe vendosëm gishtërinjtë mbi fytyrat tona, por nuk kemi ndër mend të ndajmë çdo gjë me ta kur të vijë koha. Ne do të ndihmojnë serbët apo bullgarët, madje edhe malazezët, që të përzëmë turkun. Ne nuk dëshirojmë ta bëjmë një gjë të tillë me Italinë apo Austrinë”.
Rajonet e tjera të Perandorisë
Medina, në Arabi, ku thuhej se kishte shpërthyer një kryengritje, është i dyti Qytet i Shenjtë i botës muhamedane. Ai është vendi ku Muhamedi ishte strehuar në udhëtimin e tij në vitin 632 dhe atje vdiq. Aty ndodhet varri, poshtë Xhamisë së Madhe. Diarbekur është një vilajet në Mesopotaminë e Sipërme dhe për disa shekuj ka qenë një qendër e madhe tregtare. Kryengritja e kurdëve në këto rajone nuk kishte lidhje të drejtpërdrejtë me rebelimin e ushtrisë në Kostandinopojë. Kurdët kanë një ves të përhershëm; atë të vjedhjes dhe plaçkitjes së pronave të të tjerëve në qytete dhe fshatra, veçanërisht të armenëve. Armenët njihen si shumë kursimtarë dhe kursejnë para; nuk ngurrojnë t’i japin ato në formë huaje te fermerët dhe tregtarët myslimanë kundrejt një pengu. Nëse për ndonjë arsye apo një tjetër, si për shembull dështim në rezultatet e prodhimit apo dështime në biznes, dhe ata nuk mund të paguajnë interesat e tyre, myslimanët dërgojnë mesazhe te bashkëbesimtarët e tyre kurdë dhe këta vijnë dhe i kërcënojnë armenët duke mos ua paguar më borxhet.

Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 16 prill 1909
Titulli është redaksional
Përgatiti: Albert Gjoka

Në numrin e ardhshëm do të lexoni

“The New York Times: “Roli i Ismail Qemalit në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë”

Si u përgatit terreni për shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Otomane
Hapat që u ndërmorën për ngritjen e qeverisë së Vlorë dhe njohjen e saj
Problemet me të cilat u përball Ismail bej Qemali dhe raportet e tij me Kostandinopojën

Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës

26 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›