E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zanieri: “UNMIK-u, i rëndësishëm në Kosovë edhe pas rikonfigurimit”



Roli i UNMIK-ut në Kosovë do të jetë i rëndësishëm pas rikonfigurimit, edhe pse me një strukturë të zvogëluar. Kështu ka deklaruar shefi i ri i UNMIK-ut, Lambetro Zanieri, i cili ka sqaruar se nuk dihen ende fushat ku misioni do të operojë pasi nuk janë marrë akoma udhëzimet nga Nju Jorku dhe kjo mund të marrë më shumë kohë seç është parashikuar më herët. “Do të kemi një operacion mjaft radikal. Struktura e UNMIK-ut do të ndryshojë shumë, por do të jetë në përputhje me realitetin në terren, dhe në fund të 120 ditëve mendoj se UNMIK-u do të jetë më i vogël, por prapëseprapë do të jetë në gjendje të luajë një rol të rëndësishëm. Parametrat specifikë se si do të bëhet ky rikonfigurim, duhet të marrim parasysh udhëzimet që presim nga nga Nju Jorku. Unë jam i hapur lidhur me këtë çështje dhe nuk kemi një plan të përcaktuar”,- theksoi Zanieri. Përsa u përket kompetencave në raport me EULEX-in, Zanieri tha se puna e këtij misioni në terren do të rifuqizojë rolin e UNMIK-ut. “EULEX-i do të ketë rol krejt ndryshe nga UNMIK-u. Do të ketë rol monitorues, këshillëdhënës, është një rol tjetër nga ai që ka bërë UNMIK-u. Është çështje e ripërshtatjes së UNMIK-ut ndaj një situate të re. Për ne mbështetja e vetme është Rezoluta 1244, deri në një masë që EULEX-i e sheh këtë mbështetje në përputhje me mandatin e saj dhe unë jam i gatshëm që të operojë në kuadër të kësaj mbështetjeje deri në një masë që ajo është në përputhje me mandatin që kemi ne”, - u shpreh Zanieri. Qëndrimi i UNMIK-ut në Kosovë është vlerësuar si tepër pozitiv nga sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Terri Dejvis. Duke folur në një konferencë për shtyp në Strasburg, Dejvis ka deklaruar se Këshilli i Europës do të vazhdojë bashkëpunimin me administratën e OKB-së në Kosovë, në bazë të rezolutës 1244. “Këshilli i Europës është i pranishëm në Kosovë në kuadër të rezolutës 1244 prandaj është një lajm i mirë që UNMIK-u do të vazhdojë të qëndrojë në këtë vend, pasi para dy muajsh flitej se do të tërhiqej plotësisht”, - ka pohuar Dejvis.

26 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›