Kuvendi serb në Mitrovicë, Rexhepi: “Të merren masa sigurie”
Situata në veri të Mitrovicës mund të tensionohet me rastin e 28 qershorit dhe strukturat përgjegjëse për sigurinë në veri të qytetit duhet të marrin masa për të mos lejuar shkallëzimin e gjendjes. Ky ka qenë paralajmërimi i Kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi i cili e ka parë si shqetësues lajmërimin e mëhershëm të serbëve se më 28 qershor do të themelojnë Kuvendin në Kosovë. “Ka mundësi që gjendja të tensionohet meqë në këtë datë pritet edhe një fluks i qytetarëve nga Serbia, të cilët festojnë Vidovdanin, prandaj strukturat e sigurisë duhet që në hyrjet kufitare në kufi me Serbinë, sidomos në pikat 1 dhe 31 të kontrollojnë dhe legjitimojnë secilin që hyn në Kosovë”,- tha Rexhepi në takimin e Komitetit të Sigurisë.
Sipas tij kuvendi i serbëve në Kosovë nuk ka asnjë vlerë juridike dhe është ilegal duke shtuar se edhe ndërmjet komunitetit serb ka nga ata që nuk janë dakord me krijimin e këtij institucioni. Paralajmërimit të Rexhepit për ruajtjen e rendit në këtë pjesë problematike i janë përgjigjur përfaqësuesit e KFOR-it të cilët shprehën gatishmërinë e tyre për kontrollimin e situatës në kufij ku pritet që më 28 qershor të ketë një fluks të madh të qytetarëve serbë që do të duan të shkojnë në Kosovë ndërsa për flamurin në Majën e Sokolit, përfaqësuesit e KFOR-it thanë se për të duhet që paraprakisht të marrë një vendim UNMIK-u. Për menaxhimin e situatës më 28 qershor, komandanti i stacionit jugor të SHPK-së, kapiteni Bashkim Spahiu, tha se ata ende nuk kanë marrë planin operativ për këtë rast. Megjithatë ai tha se gjithsesi se do të ketë masa shtesë të sigurisë. Kryetari i komunës së Mitrovicës Bajram Rexhepi edhe disa ditë më parë u ka bërë thirrje përfaqësuesve të KFOR-it dhe UNMIK-ut që të merrnin masa për ruajtjen e qetësisë në vend. Shkak për tensionimin e situatës në veri, mund të bëhen edhe strukturat paralele të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka thënë Rexhepi duke theksuar se ekzistonin informacione se pjesëtarë të strukturave paralele serbe të sigurisë kishin shtuar aktivitetet e tyre, duke u prezantuar haptas si pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme serbe. Në Kosovë, sipas tij, ishin të lirë të vepronin vetëm KFOR-i, UNMIK-u dhe SHPK-ja. Nëse këto struktura të sigurisë do të dështonin me planet e tyre, atëherë Rexhepi ka sqaruar se do të shikohen alternativa të tjera.
Dinosha: “Mali i Zi dhe Maqedonia të njohin këtë vit Kosovën”
Kryetari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Ferhat Dinosha, ka paralajmëruar qeverinë malazeze se nuk është në interesin nacional të Malit të Zi që të zvarrisë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Dinosha ka bërë thirrje qe Podgorica ta njohë Kosovën ketë vit në paketë, së bashku me Shkupin zyrtar. “Ndoshta do të ishte më mirë që njohja e pavarësisë së Kosovës të kryhet në paketë së bashku me Maqedoninë. Të dy shtetet janë në rrugën e integrimit dhe njohja do të vlerësohej si hap i rëndësishëm”, - është shprehur Dinosha. Agjencitë e huaja të lajmeve bënë të ditur se Dinosha ka shtuar se është i gatshëm që të ndërmjetësojë te institucionet e Malit të Zi dhe Kosovës, që malazezët të kthehen në Kushtetutën e Kosovës. Pyetjes se pse Mali i Zi nuk e njohu Kosovën në maj, ashtu siç ishte parashikuar Dinosha, u shpreh se nëse nuk ndodhi në maj, nuk do të thotë që nuk do të ndodhë fare këtë vit. “Mali i Zi duhet të shikojë interesin e vet nacional dhe nuk duhet të vihet në rend të parë interesi i Serbisë. Tashmë është e qartë se interesi i Podgoricës është njohja e pavarësisë dhe se njohja nuk duhet të sjellë inatin e askujt”.
26 Qershor 2008