E Shtunë, 31 Tetor 2026

Saranda, qyteti turistik që të befason përherë



Nga Fatos Veliu

Një grup prej 3-4 policësh bashkiak në qendër të qytetit ishin duke debatuar, madje urdhëruar prerazi dhe fuqishëm drejtuesit e disa mjeteve për lëvizjen dhe rregullimin e parkimit të tyre.
Ndërkohë që në ato momente një fugon me shpejtësi rrufe i cili po për çudinë time në faqet anësore shkruante “POLICIA BASHKIAKE” po ecte për diku që nuk dihej se ku, por që nuk linte aspak dyshim se po shkonte në një aksion për ndonjë ndërtim pa leje, apo ndonjë problem tjetër që i përkiste asaj.
Masat
Por si të mos mjaftonin këto pamje momentale që skish si të mos tërhiqnin vëmendjen për një angazhim i tillë, kur kisha pak që isha larguar nga qendra e qytetit, kur sërish anës detit ndesha një pamje të ngjashme ku dy Policë Bashkiakë po urdhëronin një shitës ambulant të largonte tezgën e tij nga shëtitorja ku do të lëviznin në mbrëmje qytetarët. Kjo ishte pamja befasuese që u ndesha që në momentin e parë të vizitës sime këtë fund qershori në Qytetin Turistik të Sarandës. Kisha shumë kohë pa shkuar atje ku kam kaluar pjesën më të madhe te rinisë sime, ndaj dhe ishte i natyrshëm padurimi im gjatë rrugës për të arritur aty. Sa mbërrin në qytetin e bukur ndesh fluksin e madh të ndërtimeve apo vendet ku dallgët shkumëzohen ndanë shkëmbinjve. Madje, madje kisha kaluar edhe në postblloqet e Policisë Rrugore dhe asaj të Rendit duke filluar që në Qafën e Gjashtës sa hyn në Sarandë, por kurrë nuk më kishte shkuar mendja se do të ndeshja një pamje të tillë ku Policia Bashkiake e atij qyteti të mund të ishte aq aktive dhe e kudo ndodhur. Kjo ishte jo vetëm befasuese, por edhe emocionuese për mua dhe ma merr mendja edhe për gjithë qytetarët, të cilët nuk ka aspak dyshim që kënaqen kur Strukturat e Shtetit bëhen efiçente. Pas gjithë kësaj nuk kish si të mos pyesja për Drejtorin e Policisë Bashkiake. Konfirmova se ishte Remzi Bani.
Emri dhe fytyra e të cilit më erdhi menjëherë në përfytyrimin tim, pasi e kisha njohur gjatë viteve që kisha jetuar në Sarandë.
Ky fakt me gëzoi më shumë, gjë që me obligoi për ta takuar me patjetër aq më tepër kur për qytetin bregdetar të Sarandës janë të interesuar çdo vit edhe shumë e shumë qytetarë nga të katër anët e Shqipërisë.
Takimi
Nuk vonoi dhe takimi ynë i parë pas shumë kohësh, natyrisht sikurse pritej, ishte emocionues. Pasi kaluam momentet e para të mirësjelljes, tepër i entuziazmuar, i shpreha kënaqësinë që ai ishte Drejtor i një Policie Bashkiake kaq eficente dhe se, dinamizmi i saj patjetër kishte sjell një qetësi, rregull dhe zbatueshmëri të kënaqshme të ligjit në qytetin bregdetar. Remziu edhe pas kaq vitesh ruante atë modestinë e tij karakteristike dhe pyetjeve të mija u përgjigjej qetë - qetë duke vënë pak buzën në gaz. “Nuk është shumë detyrimi ynë se sa përkushtimi personal i Kryetarit të Bashkisë, i cili e ndjek situatën në qytet hap pas hapi. Ai është jashtë mase i ndjeshëm ndaj problemeve, ndaj dhe është i rreptë në kërkesën e llogarisë. Duke parë këtë përkushtim, aq më shumë angazhimin e tij se këtë vit kërkon të arrijë dyfishin e numrit të turistëve shqiptarë në qytet, angazhim të cilin e ka marrë jo vetëm para strukturave te Qeverisë nga varet, por edhe para qytetarëve që i kanë dhënë votën”.

Box
Flet drejtori i Policisë Bashkiake, Remzi Bani

“Kemi eliminuar ndotjen e bregdetit dhe ambienteve publike”

Ku është përqendruar puna juaj gjatë kësaj periudhe paraprake të fillimit te sezonit turistik?
Gjatë kësaj periudhe puna jonë është përqendruar në zbatimin e ligjit, të detyrave dhe urdhrave të nxjerra nga Kryetari i Bashkisë si dhe vendimeve të nxjerra nga Këshilli Bahskiak.

Me sa kuptuam dhe pamë që në momentin që hymë në Sarandë, policia bashkiake u nis për një aksion. Ju mjafton koha që edhe në këtë periudhë plazhi të merreni me kontrollin e territorit?
Ky është drejtimi kryesor mbasi ka të bëj me njohjen e gjendjes, evidentimin e problemeve, parandalimin dhe prishjen e ndërtimeve të paligjshme si dhe ruajtjen e tyre nga ndërtimet e ndryshme. Për këtë kontrolli ynë ka qenë i përgjithshëm ku kemi evidentuar ndërtimet dhe ndërhyrjet ne territorin e Bashkisë, kemi pezulluar ato pa leje dhe jemi munduar të disiplinojmë në maksimum ato me leje, për të respektuar kërkesat e vendosura nga Bashkia.

Ku është fluksi më i madh i ndërtimeve?
Fluksi më i madh i ndërtimeve është në rrugën Nr. 5 dhe Lugun e Dardhës. Nga kontrolli i ushtruar në Rrugën Nr. 5 janë evidentuar rreth 23 objekte në ndërtim, janë 2 objekte pa leje dhe kemi tentative për shtesë kati në dy objekte të cilat u parandaluan. Edhe në rrugën e Lugut të Dardhës janë evidentuar rreth 24 objekte, nga të cilat dy janë me leje, ku janë pronar 13 persona dhe të gjitha këto janë përfshirë në procesin e legalizimit. Kontrolli në aksin rrugor Turizëm – Kanali i Cukës ka evidentuar rreth 109 objekte ndërtimi nga të cilat 89 pa leje ndërtimi, pjesa tjetër janë sheshe gërmimi që do të aplikojnë për leje.

Kush është detyra juaj në këto raste?
Detyra jonë është që të ushtrojmë kontroll dhe të mos lejojmë asnjë ndërtim pa leje. Vazhdojmë evidentimin e objekteve në lagjen Nr. 4 dhe në të njëjtën kohë nuk kemi lejuar asnjë ndërtim pa leje. Pra puna jonë duhet të insistojë, që të respektohen nga ndërtuesit të gjitha kërkesat urbanistike. Në objektet që ndërtohen kemi raste të shtesave apo rritje të sipërfaqeve ndërtimore dhe zënie të rrugëve e trotuareve.

Këto janë problemet tuaja më të mëdha?
Këto probleme janë të pakta por jo të justifikueshme nga ana jonë. Probleme të tilla kemi pasur te Valbona, te Universiteti, në kodër poshtë Gjimnazit etj. Fakti është se Për këto objekte ne kemi harxhuar shumë energji, pasi ka munguar puna cilësore dhe me specialistë të aftë. Kujdes u kemi kushtuar ndërhyrjeve dhe punimeve të ndryshme në pjesët publike brenda qytetit nga firma e institucione por edhe privat. Kemi evidentuar çdo ndërhyrje në rrugë, trotuare e pjesë të tjera publike, dëmtime të sistemit të ndriçimit, të sinjalistikës, të ujësjellësit etj. Por kjo është e pamjaftueshme sepse ne duhet të përqendrohemi në eliminimin e defekteve. Një bashkëpunim më i mirë me Drejtorinë e Shërbimeve do t’i jepte zgjidhje problemeve.

Thatë se një ndër detyrat tuaja të shumta si Polici Bashkiake është dhe ruajtja, evidentimi dhe parandalimi i ndërtimeve në pjesët e gjelbëruara. Çfarë rezultatesh keni pasur?
Kemi pasur dëmtime të lulishteve deri edhe prerje pemësh për të cilat pavarësisht se me raste të rralla ne nuk kemi vepruar sa e si duhet sipas ligjit. Në drejtim të ruajtjes së pjesëve të gjelbëruara në qytet mendojmë se duhet të punojmë të gjithë në mënyrë të veçantë Firma e Gjelbërimit, e cila nuk duhet të konstatojë, por të veprojë dhe të ruaj edhe ajo këtë territor.
Raste që janë evidentur, ku firma edhe degët e pemëve të dëmtuara nuk i mbledh e ti çoj në vendin e duhur, tregon mungesë përgjegjësie. Por edhe bashkëpunimi ynë me të, lë për të dëshiruar gjë që do të kemi në qendër të punës tonë.

Në këtë mënyrë mund të flisni edhe për kontrollin dhe sistemin e vend parkimeve brenda territorit të Bashkisë?
Mua nuk më pëlqen të flas me tone pozitive pasi edhe në këtë detyre e cila nuk është realizuar në masën e duhur por që kërkon shumë punë, e në mënyrë të veçantë një bashkëpunim më efikas sidomos me Komisariatin e Policisë, me Drejtorinë e Shërbimeve dhe të ardhurave në Bashki. Hedhja e inerteve në det,rrugë apo pjesë publike, janë në qendër të punës tonë e megjithatë rastet sporadike nuk kanë munguar. Kontrolli, evidnetimi dhe ndërhyrja për të eliminuar çdo lloj pune që kryhet në periferi të qytetit e që çon në prishjen e infrastrukturës duhet të kryhet me një studim të veçantë e masa konkrete.

Le të kthehemi te puna juaj në lidhje me përballimin e sezonit turistik. Si punohet për realizimin me sukses të tij?
Për kurorëzimin me sukses të sezonit turistik është punuar në eliminimi i zhurmave nga mjetet e rënda, çekiçët, nga punimet në apartamente, lokale, nga diskot etj. Jemi përpjekur të mis lejojmë ndotje në bregdet dhe ambientet publike. Sistemimi i plazheve ka qenë një problem i madh që kërkon punën tonë të përbashkët. Parandalimi i ndërhyrjeve dhe dëmtimeve në rrjetin e ujësjellësit dhe uljen e shpërdorimit të ujit. Në çdo rast kemi qenë prezent dhe aktivë në zgjidhjen e kërkesave të qytetarëve në bazë të Vendimit të Bashkisë. Ne si Polici mundëm të disiplinonim punën e lavazhëve për mos shpërdorimin e ujit. Kemi ndërhyrë për të ndaluar lidhjet e motopompave në të gjitha lagjet, si dhe larjet e makinave me ujë të pijshëm. Është punuar me përgjegjësi e korrektësi në eliminimin e mundshëm të problemeve të furnizimit me ujë.

26 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›