E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria vërteton dyshimet, Kina po kërkon aleatë të rinj

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Pekin, 21 dhjetor 1977 - Ideja që Kina dhe Evropa mund të bashkojnë forcat për të kërcënuar Rusinë është bërë edhe një herë tjetër subjekt i një shqetësimi të madh në Moskë. Kremlini është alarmuar nga shenjat se vendet evropianoperëndimore po propozojnë ti shesin avionë luftarakë dhe armë të tjera të avancuara Kinës. Moska e shikon një veprim të tillë si hapin e parë të një aleance të mundshme mes Kinës dhe Evropës Perëndimore, e cila mund të sjellë një kërcënim ushtarak ndaj Bashkimit Sovjetik shumë herë më shpejt sesa strategët sovjetikë kishin pritur. “Pekini po nxiton”, ishte kryetitulli i së përditshmes sovjetike “Pravda”. Shtypi kinez ndërkohë, flet për një blerje të mundshme nga Kina të 300 prototipave “Harrier” (avionë me patentë britanike që ngihen vertikalisht në ajër) nga Britania e Madhe, 22 avionë “Mirazh” nga Franca, helikopterë nga Gjermania dhe armë të tjera të avancuara nga Suedia. Tashmë negociatat për të përmbyllur disa nga marrëveshjet e sipërpërmendura kanë nisur. Shitjet e armëve do të mjaftoheshin vetëm me Evropën. Sekretari amerikan i Shtetit, Sajrus Vens, thotë se “do të ishte një gabim i pafalshëm” për Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ti siguronin armatim Kinës dhe në këtë pikë, me sa duket, ai kërkoi ti jepte garanci Kremlinit se një gjë e tillë nuk do të ndodhte. Moska e ka mirëpritur vërejtjen e presidentit Xhimi Karter, ku ai shprehej se shpresonte të zhvillonte më tej bashkëpunimin me Kinën, por në një mënyrë të tillë që ai të mos drejtohej kundër Bashkimit Sovjetik. Karteri, - thoshte Radio Moska,- po merrte në konsideratë faktin se çdo përpjekje e SHBA-së për të përfituar nga mosmarrëveshjet mes Moskës dhe Pekinit mund të shndërrohej në një bumerang kundër Shteteve të Bashkuara. Por ajo çka kënaq Moskën, irriton Pekinin. Ndërsa Kina këmbëngul se ajo nuk i do armët e Amerikës, ajo i konsideron garanci të tilla ndaj Kremlinit si një shenjë dobësie, e cila mund ta shndërrojë Uashingtonin në një partner të pabesueshëm në çdo bashkëpunim me Kremlinin. Së fundmi, Pekini ka renditur një numër të madh shenjash të tilla gjatë një fushate në shtyp të planifikuar për ta nxjerrë SHBA-në të pavendosur, egoiste dhe sahanlëpirëse të Bashkimit Sovjetik. Qëllimi i kësaj fushate nuk është thjesht të denigrojë Shtetet e Bashkuara, por të tregojë gjithashtu se mundësitë e Pekinit nuk janë të kufizuara për sa i përket një afrimi me Uashingtonin. Alternativa, së cilës Pekini i ka kushtuar më shumë vëmendje, të paktën në publik, është opsioni evropian. Në kohë të ndryshme Pekini i ka dhënë një rëndësi të ndryshme mundësisë së hapjes ndaj tij, në varësi të zhvendosjes së luftës së tij të brendshme për pushtet dhe në debatin se cila duhet të jetë politika e jashtme e Kinës. Theksi tashmë është vendosur se si duhet të “bashkohen” me Evropën, edhe pse ky debat është shumë larg zgjidhjes. Në të vërtetë, opsioni evropian po stimulohet dita-ditës nga artikujt në shtypin kinez, të cilët janë edhe vetë pjesë e këtij debati. Në sipërfaqe, artikujt janë një përgjigje ndaj dyshimeve të politikës së jashtme kineze të shprehura nga i vetmi aleat evropian i Kinës, Shqipëria. Por, ashtu siç shkruan “Peoples Daily”, në Kinë gjithashtu “ka persona që kundërshtojnë ashpër teorinë e tri botëve të Kryetarit Mao”, në të cilat bazohet dhe opsioni i afrimit me Evropën. Ajo i përshkruan vendet evropiane si anëtare të “Bandës së Katërshes”, por është e qartë se ky debat po zhvillohet mes anëtarëve të tanishëm të udhëheqjes kineze. Opsioni evropian shihet nga Pekini si përfshirja e një marrëveshjeje ushtarake që do ta mbante Rusinë nën kontroll. Nëse Moska do të kishte dashur të lëvizte kundër Evropës, ajo duhet të llogariste dhe lëvizjet e Kinës në krahun e kundërt. Nëse ajo do të kishte dashur të lëvizte kundër Kinës, asaj do ti duhet të priste reagimin nga Evropa. Thirrjet e Pekinit për “bashkimin” me Evropën shoqërohen nga reminishenca të tmerrshme të së kaluarës së asaj që ka ndodhur kur vetë Evropa dështoi të bashkohej kundër Hitlerit. “Arsyeja kryesore pse ai ia doli,- këmbëngul ajo,- duhet të shihet tek dështimi i vendeve të kërcënuara “për tu bashkuar me forcat e rezistencës”. Por si mundet Evropa dhe Kina të bashkohen për tu mbrojtur? Përgjigjja jepet nga Moska, e cila e shikon një Gjermani Perëndimore të djathtë shumë të fuqishme ushtarakisht, si udhëheqësen e re të Evropës së ardhme të bashkuar. “The Moscoë Literary Gazette” flet për vizita në Kinë të gjeneralëve gjermanë të dalë në pension, por dhe të politikanëve aktivë, qëllimi i të cilëve është ta “fitojnë Kinën si një aleate” kundër Bashkimit Sovjetik. Gazeta e shikon vizitën e tyre në Pekin si një përsëritje e veprimeve të njëjta të gjeneralëve gjermanë përpara Luftës së Dytë Botërore, kur ata “po përgatisnin ushtrinë kineze për momentin kur Vermahti do të sulmonte Bashkimin Sovjetik dhe më pas do ta përdorte atë për të krijuar një front të dytë antisovjetik në Azi”. Ka me siguri nga ata që si në Perëndim, ashtu dhe në Pekin, e shikojnë të ardhmen e sigurisë të vendeve të tyre në kushtet e një aleance antisovjetike. Por Kremlini e ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur Evropën se çdo marrëveshje antisovjetike që ajo do të bëjë me Kinën mund të dëmtojë qetësimin e situatës në mënyrë të pariparueshme. Shtetet e Bashkuara i kanë marrë seriozisht këto paralajmërime dhe Evropa ka shumë mundësi që të mos i shpërfillë ato, edhe pse mund ti shesë Kinës disa nga armët e saj moderne. Por Evropa zor se mund ta furnizojë Kinën me armatimin e nevojshëm për të bërë dallimin e vërtetë në pozicionin e saj mbrojtës. Por as Kina nuk mund të jetë e sigurt se Evropa, që kontrollohet nga raketat bërthamore sovjetike, do të ishte një ndihmë e madhe për të në rast krize. Kjo është ajo që duhet ti shqetësojë ata në Pekin, të cilët shikojnë me dyshim mundësinë e një bashkëpunimi me Evropën. Pekini e ka refuzuar pjesërisht mundësinë amerikane, sepse mendonte se Uashingtoni nuk kishte forcën për ti bërë ballë Kremlinit. Ka shumë pak gjasa që në të ardhme të vendoset se Evropa mund të provojë të jetë një aleat më i besueshëm. Mbrojtja e fortë e opsionit evropian në shtypin e Pekinit është me të vërtetë një përgjigje ndaj atyre udhëheqësve kinezë që vënë në dyshim realizueshmërinë e saj. Kritika ndaj “zbutjes” së SHBA-së vjen si një refuzim i opsionit amerikan nga Pekini. Me të dyja këto opsione të kritikuara, disa nga udhëheqësit kinezë po i kushtojnë gjithnjë e më shumë vëmendje gjykimit nga shenjat e shtypit vendas për një opsion të tretë, afrimin me Bashkimin Sovjetik.

Ky lajm është publikuar: 04/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›