E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teliti: Kemi gati listën e zgjedhësve



Ministria e Punëve të Brendshme bën gati listën e re të zgjedhësve që do të votojnë më 28 qershor 2009, duke u dhënë fund dublimeve. Këtë e konfirmoi dje drejtori i Gjendjes Civile, Armand Teliti, i cili pohoi se për herë të parë Shqipëria ka një listë elektronike të të gjithë shtetasve të tij, pa asnjë dublim dhe aq më tepër, 5 muaj para zgjedhjeve. “Me përfundimin e pastrimit të dublimeve deklarojmë se kemi për herë të parë një Regjistër Kombëtar të Gjendjes Civile të pastër nga dublimet. Në përfundim të ekzekutimit të procedurës së pastrimit të dublimeve nga sistemi i RKGJC-së, bazuar në informacionin e sjellë nga vetë ZGJC-të, u arrit të pastroheshin të gjitha dublimet. Është përgatitur lista e personave të cilët janë pastruar dhe një listë e veçantë po i dërgohet çdo ZGJC-je për të kryer hapin final të pastrimit të dublimeve, atë të çregjistrimit nga Regjistrat Themeltarë”, - tha Teliti. Ai shtoi se nga të dhënat përfundimtare rezulton se numri total i popullsisë është 4.249.942 shtetas dhe numri total i zgjedhësve është 3.133. 248 zgjedhës. Drejtori i Gjendjes Civile tha se kjo listë tashmë ka kaluar edhe në zonat përkatëse. “Lista e zgjedhësve për çdo njësi është e grupuar sipas qendrave të votimit. Për shkak të lëvizjeve të kryera ndërmjet njësive rezulton një numër total prej 88,000 zgjedhësish pa një numër të saktë qendre votimi. Në përputhje me Kodin Zgjedhor, kryetari i njësisë duhet t’u caktojë të gjithë zgjedhësve në listë një qendër të vlefshme votimi brenda datës 28 shkurt 2009”, - deklaroi z. Armand Teliti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›