E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama vs.Berisha, Gjykata e Lartë rrëzon kreun e PS

Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj ka lajmëruar rrëzimin e kërkesës së Ramës, me të njëjtin argument juridik si edhe Prokuroria, kur mbylli hetimet

Tiranë Gjykata e Lartë vendosi dje të rrëzojë kërkesën e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, për nisjen e hetimeve ndaj Kryeministrit të vendit, të cilin e akuzon për fyerje dhe shpifje. Vendimi u është komunikuar palëve nga kryetarja e trupës gjyqësore, Shpresa Beçaj, duke u dhënë fund kështu pretendimeve të avokatëve të Ramës, se Prokuroria e Përgjithshme duhet të hetojë Kryeministrin Sali Berisha për deklaratat e pavërteta që ka bërë ndaj kreut socialist dhe familjes së tij nga foltorja e parlamentit. Duke qenë se Prokuroria e Përgjithshme nuk kishte ngritur akuzë ndaj Kryeministrit, Edi Rama vendosi t’i drejtohet Gjykatës së Lartë me një kërkesë për kundërshtimin e vendimit të prokurorisë. Por gjatë seancës së djeshme, pasi dëgjoi pretendimet përfundimtare të palëve, kryetarja e trupit gjykues tha se kërkesë-padia e Ramës u hodh poshtë për të njëjtat arsye që Prokuroria rrëzoi kallëzimin e Edi Ramës, për mos-evidentim të elementëve të veprës penale në deklarimet e kryeministrit. Gjatë seancës, avokatët e Ramës pretenduan se prokuroria ishte treguar e njëanshme në këtë çështje, pasi nuk është bazuar në fakte e prova, por në opinione për të rrëzuar padinë e Ramës. “Prokuroria ka marrë në mbrojtje Kryeministrin Berisha, duke thënë se ai ka të drejtën dhe lirinë e shprehjes” - tha avokati i kreut të Socialistëve. Ndërsa prokurori i çështjes, Alfred Progonati, pohoi se kallëzimi u pushua se deklarimet e Kryeministrit nuk ishin konsideruar fakte, por gjykime personale. “Po të kryenim veprime për të provuar vërtetësinë e thënieve të Kryeministrit Sali Berisha, do të cenonim persona të tretë të përmendur” - tha përfaqësuesi i akuzës gjatë seancës së djeshme. Ndërsa avokatja e z. Kryeministrit, Erinda Ballanca, argumentoi se paditësi i ka nxjerrë nga konteksti fjalët e Kryeministrit. Sipas saj, Kryeministri i ka përdorur ato fjalë në sensin e retorikës politike dhe jo për të fyer zotin Rama. Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Lartë vjen pas një tjetër vendimi që rrëzoi padinë e nënës së kreut të PS-së, zonjës Aneta Rama e cila paditi penalisht Kryeministrin e vendit për fyerje dhe shpifje të kryer botërisht. L.Bakillari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›