Pinari këmbëngul: Mina me sahat në Gërdec
Ish-drejtori i kompanisë MEICO, Ylli Pinari, i arrestuar dhe i marrë i pandehur për tragjedinë e Gërdecit, nëpërmjet avokatëve ka këmbëngulur dje se organi i akuzës nuk ka verifikuar dhe hetuar një informacion që bënte fjalë se shpërthimi në punishten e demontimit të municioneve në Gërdec ka ardhur si pasojë e minave me sahat. Avokati i Pinarit, Klodian Gjermeni, deklaroi në sallën e gjyqit se prokuroria nuk ka ndërmarrë asnjë hetim në lidhje me këtë dokument, i cili është servirur nga ministri i Brendshëm. "Prokuroria nuk e ka verifikuar këtë informacion që i është servirur ministrit të Brendshëm. Ky informacion bënte fjalë se disa persona kanë vendosur në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec mina me sahat dhe janë larguar në disa drejtime. Njëri prej personave që përmendeshin në këtë informacion ka qenë vëllai i Nehat Kullës, tjetri, një person me emrin Avni Dema, ndërsa personi i tretë quhej Tani nga Berati. Këta persona, pasi kanë vendosur bombat me sahat, janë larguar në tri drejtime të ndryshme", tha avokati i Pinarit. Letra anonime për dy mina me sahat në Gërdec ka shkuar në adresën e ministrit Bujar Nishani, që më datë 25 mars të vitit 2008. Në letër janë deklaruar edhe dy emra personash të dyshuar, por asnjëherë nuk është vërtetuar nëse këto informacione ishin të vërteta. Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, akuzoi disa javë më parë Prokuroren e Përgjithshme se nuk e kishte vlerësuar siç duhet një informacion nga Policia e Shtetit, që fliste se shpërthimi në fabrikën e Gërdecit mund të kishte ndodhur nga vendosja e dy minave me sahat. Por, prokuroria i është kundërpërgjigjur, duke deklaruar se shpërthimi kishte ndodhur nga saldimi i një karroce.