E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi i BE, si shans për opozitën

Sigurimi i një rekomandimi nga ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian për të avancuar statusin e Shqipërisë, u interpretua menjëherë nga qeveria si sukses i rëndësishëm. Në fakt Sali Berisha, Ilir Meta dhe Majlinda Bregu kanë të drejtë të gëzojnë apo festojnë, sepse i takon qeverisë ku ata bëjnë pjesë të realizojë hapat e dëshiruar nga shqiptarët. Hapa që u programuan edhe nga qeveri të mëparshme, por nuk u realizuan. Megjithatë gëzimi i orëve të para për vendimin e kryediplomatëve europianë i lë vendin dy arsyetimeve dhe shqetësimeve jo të vogla.
Së pari, Shqipëria ndodhet në grupin e fundit të shteteve që do të marrin statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, duke përjashtuar disa mbetje të ish-Jugosllavisë, të cilat mbartin ende probleme nga luftërat e viteve ‘90. Mjafton të kujtojmë se Maqedonia dhe Mali i Zi ndodhen përpara Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, për të kuptuar se jemi të vonuar. Startit të vonë të Shqipërisë i bashkëngjitet euforia e shefit të qeverisë, për të realizuar reforma të shpejta, në mënyrë që distanca kohore dhe cilësore e krijuar me vendet fqinje ballkanike të mund të reduktohet apo rikuperohet. Pikërisht në këtë pikë, ai po përpiqet të shigjetojë herë pas here edhe opozitën, duke u përpjekur ta paraqesë atë si shkaktaren e mundshme të vonesave në procesin e integrimit. Sigurisht që mungesa e deputetëve të Partisë Socialiste në Kuvend bën të pamundur miratimin e disa ligjeve, por vonesa e Shqipërisë nuk nisi në shtator 2009 me bojkotin e socialistëve. Rrënjët e kësaj vonese janë shumë më të thella dhe Berisha prej 5 vitesh në qeverisje ka pjesën e tij të përgjegjësisë. Kryeministri dhe shumica e tij parlamentare e dinë fare mirë se çfarë premtuan në korrik 2005 dhe çfarë realizuan deri në nëntor 2009. Ata fituan konfirmimin nga votuesit, por jo kohën e humbur me reformat e vonuara apo ndonjëherë të gabuara. Vetëm në prill 2008, dy partitë kryesore në vend, PD dhe PS, ndryshuan me një konsensus për t‘u admiruar, disa nene të Kushtetutës që nuk ishin vënë ndonjëherë në zbatim, por nuk ndërtuan dot një paketë reformash për drejtësinë apo luftën kundër korrupsionit.
Së dyti, për të fituar kohën e humbur, Berisha po përpiqet ta sforcojë strukturën e tij qeveritare, për të përmbushur kërkesat e pritshme të Komisionit Europian. Një pyetësor voluminoz do të mbërrijë nga Brukseli në Tiranë dhe ekspertët shqiptarë brenda një afati të caktuar, ndoshta fundi i shkurtit 2010, duhet të përgjigjen. Pikërisht në këtë pikë, shpejtësia e reformave ka një pikëpyetje të madhe. Ajo që duhet raportuar në zyrat e Komisionit Europian nuk është thjesht dhe vetëm një punë administrative e disa nëpunësve në Ministrinë e Integrimit. Raporti sigurisht që do të përmbajë edhe pyetje për realizimin e reformave që duhet të kalojnë nga Parlamenti apo për klimën politike në tërësi. Qëndrimi i ashpër i opozitës, duke e kushtëzuar përmirësimin e klimës politike me plotësimin e kërkesave të saj, është një presion jo i vogël mbi qeverinë PD-LSI, pavarësisht se Berisha dhe Meta, si politikanë me eksperiencë, përpiqen të mos shfaqin publikisht asnjë gërvishtje nga veprimet e PS-së. Ata po luajnë dy karta që duken të kenë efekt të pjesshëm në lëkundjen e qëndrimit të Edi Ramës. Karikimi i opinionit publik e politik me idenë se "opozita pengon integrimin", i shoqëruar me presionin e paplotë të disa deputetëve për të thyer bojkotin e Kuvendit, po gjen përballë një përpjekje të Partisë Socialiste për ta ashpërsuar linjën e saj, deri edhe me protestë të vazhdueshme.
Në këtë mënyrë, PS-ja zyrtare duhet ta ketë të qartë që qeveria nuk mund të shkruajë në raportin e saj për KE-në, se reformat nuk janë realizuar për shkak të opozitës. Mosrealizimi i kërkesave të Brukselit do të ishte një ndëshkim kolektiv, sigurisht i pamerituar për shqiptarët. Dialogu politik i kërkuar prej disa muajsh nuk po funksionon, por marrëdhënia e re me Europën është një arsye më tepër për t‘i detyruar politikanët kryesorë të bisedojnë. Ndaj vendimi i ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian ishte një "dekoratë" për Berishën, por edhe një "shans" për Ramën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›