I pandehuri Ndue Marku: Kërkoj tre ministra si dëshmitarë
Kur mendohej se të gjithë të pandehurit dhe avokatët e tyre kishin mbaruar diskutimet hyrëse dhe kërkesat paraprake, i pandehuri që është pyetur i fundit i ka shtangur të gjithë. Ndue Marku, drejtori i Harmonizimit të Legjislacionit në ushtri i ka kërkuar gjykatës që të thërrasë si dëshmitarë tre ministra dhe ish-ministria. Është kërkuar dëshmia në gjykatë në procesin e zbardhjes së tragjedisë së Gërdecit e Fatmir Mediut, Enkelejd Alibeajt dhe Aldo Bumçit, si dhe e Hasan Metukut, drejtorit të Çështjeve Juridike e të Koordinimit në Këshillin e Ministrave. Në fillim të kërkesës, Marku tha se nuk e pranon akuzën dhe se në ushtrimin e detyrës nuk ka kryer asnjë veprim të paligjshëm dhe nuk është shmangur nga kryerja e veprimeve në përmbushje të detyrimeve, që të ketë sjellë ndonjë dëm kundër interesave privatë apo shtetërorë. Ai tha se akuzat e ngritura nga prokuroria janë montime mekanike, ndërsa shton se në materialet e dosjes së prokurorisë është lejuar kryerja e hetimeve ndaj procesit ligjvënës të Kuvendit. Sipas tij, ¼ e dëshmitarëve dhe e materialeve në dosjeve është e këtij karakteri, ndërsa e cilëson si antikushtetuese këto veprime, pasi prokuroria ka guximin ta konsiderojë Kuvendin si "shtrat të veprimtarisë kriminale të kryer nga të pandehurit". "Ky fakt bëhet edhe më i pakuptimtë kur hetimi i këtij ligji, i cili është në masën 90 për qind në përputhje me direktivën e Bashkimit Europian. Mbi këtë bazë i kërkoj gjykatës të vendosë për papërdorshmërinë e provave të kërkuara nga prokuroria, që kanë të bëjnë me hetimin e procesit ligjvënës për këtë ligj", thotë Marku, duke shtuar se prokuroria duhej të kishte trokitur në derë tjetër për të gjetur përgjegjësinë administrative për këto gjëra, pastaj të mendohej për të gjetur edhe përgjegjësinë penale në varësi të saj. Ai thotë se akuza vërehet se është kolektive dhe nuk është e individualizuar, duke shkelur në këtë mënyrë parimin e individualizuar të përgjegjësisë penale të nxjerrjes së përgjegjësisë konkrete të secilit. Më tej shton se nga dosja hetimore rezulton se prokuroria ka akuzuar në mënyrë selektive disa persona, duke mos akuzuar disa të tjerë, ndonëse kanë nënshkruar së bashku në të njëjtin akt.