Pinari, ngritja dhe rënia e "yllit" të pazareve të Ushtrisë
Portreti i pinjollit të një familjeje autoktone në Sauk të Tiranës. Ngritja e mekanikut, që u bë oficer dhe dy dekadat e fundit hyri dhe doli në Ministrinë e Mbrojtjes, për të krijuar një luks që nuk do t'i hyjë në punë pas hekurave. Ngjitja e tij në krye të ndërmarrjes së Import-Eksportit të Armatimeve dhe sugjerimi i juristëve se si mund të ndihmojë dëshmia e tij në zbërthimin e pjesës së errët të trafikut të armëve dhe municioneve.
"Aha, kësaj radhe do ta na e ngecin neve më duket!". Kjo ka qenë telefonata shpresëhumbëse që drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari bënte me telefonin e vet celular, me një mikun e hershëm familjar. Ishte mesdita e 19 marsit 2008, katër ditë pas shpërthimit apokaliptik në fshatin Gërdec, ku firma private e Delijorgjit dhe ndërmarrja e Ministrisë së Mbrojtjes, MEICO, bënin çmontimin e predhave të kalibrit të madh. Një ditë më pas, më 20 mars, Pinari, "ylli më i ndritshëm" i Ministrisë së Mbrojtjes do të merrte masën e arrestit me burg pa afat, së bashku me drejtuesit e firmës "Albademil", Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxholli. Një fund i parandjerë, sepse shpërthimi i Gërdecit ishte dhe mbetet një bombë e kurdisur dhe e vendosur në mënyrë kriminale dhe të qëllimshme, në një qendër të banuar, shumë afër aeroportit "Nënë Tereza" nga ku imbarkoheshin avionët me municione dhe në krahun e djathtë të autostradës Tiranë-Durrës, që të çon në kalatat e portit më të madh të vendit, nga ku niseshin vaporët me mallin e porositur.
***
Deri në fund të viteve '80, familja Pinari, ashtu si dhe shumë familje të tjera, pronarë tokash në Shqipëri, ishin të privuara nga e drejta për të gëzuar pronat dhe të mirat materiale që sjellin ato. Pinarët, njëra prej familjeve më të vjetra autoktone të Tiranës, njihej gjerësisht si saukse e vjetër dhe prona të saj shtriheshin nga Sauku e më tej. Vetëm pas ardhjes së demokracisë kësaj familje iu njohën dhe iu kthyen shumë prej trojeve apo objekteve që ishin ndërtuar mbi to. Njëra prej tyre është Kompleksi Sportiv Olimpik, pranë Liqenit Artificial të Tiranës.
Por megjithëse vinte nga një familje pronarësh e dënuar nga regjimi komunist për të shijuar frytet e pronës së shtetëzuar, kjo nuk do ta pengonte mekanikun me shkollë të mesme, të arrinte te uniforma e ushtarakut dhe të ngjiste shkallët e karrierës. Njëri prej hapave të parë, martesa me një vajzë që kishte lidhje familjare me anëtarin e atëhershëm të Byrosë Politike të KQ të PPSH-së, Foto Çami. Një martesë që do të dështonte pak pas nisjes së viteve '90. Prej asaj kohe, jeta private e Ylli Pinarit do të ishte e trazuar, pa një lidhje të qëndrueshme, por karriera do të njihte vetëm ngjitje. Prej fundit të viteve '80 dhe përgjatë dy dekadave të fundit, emri i Ylli Pinarit do të lidhej me Ministrinë e Mbrojtjes dhe me ndërmarrjen e Import-Eksportit të Armëve dhe Municioneve që Shqipëria shiste apo blinte me botën.
****
Shumë banesa, troje dhe pasuri. Të gjitha janë në emër të Ylli Pinarit. Apartamente në Tiranë nga sheshi "Sulejman Pasha" te "Shallvaret", shtëpi në bregdet. Dhe në fund, shtëpia luksoze me të cilën mburrej familja e tij, ajo në Filadelfia të SHBA-ve. Shumica të vëna nga trashëgimia familjare, por pse jo edhe nga puna e Ylli Pinarit në Ministrinë e Mbrojtjes. Për gati dy dekada ai ishte në ministri, hiq kohën kur ministër ishte Sabit Brokaj, duke u bërë zyrtari më jetëgjatë në Ministrinë e Mbrojtjes. Njëri prej miqve të Pinarit, thotë se ai kishte patur shumë raste të tërhiqej dhe të gëzonte pasuritë e shumta të trashëguara dhe të krijuara, por ai ishte një person që i pëlqente situatat e vështira që i krijonte posti në MEICO, herë në rolin e nëndrejtorit dhe herë të drejtorit. Kësaj radhe një situatë që e çoi drejt qelisë.
Ish-drejtori i MEICO-s nuk mendohet të ketë lënë parregullsi në dokumentacion
Armët, Pinari të bëhet "i penduari" i drejtësisë
Do të jetë e vështirë që duke u nisur nga dokumentacioni, drejtësia të arrijë të marrë të vërtetën e asaj çfarë ka ndodhur me MEICO-n, privatët dhe trafikun e armatimeve. Kjo sepse letrat e MEICO-s mendohet të jenë të kopsitura, duke mos lënë hapësira që zbulojnë abuzimet. E vërteta është te dëshmia reale e Ylli Pinarit. Ky është mendimi i juristëve të pyetur për mundësinë që ish-drejtori i MEICO-s të japë të plotë skemën e trafikimit të armëve dhe të municioneve që janë bërë në Shqipëri vitet e fundit. Sipas tyre, Prokuroria e Përgjithshme ka bërë një zgjedhje të duhur, duke ftuar në Tiranë ekspertë të FBI-së amerikane, por ata duhen shfrytëzuar që ta shtrijnë hetimin në bashkëpunim me akuzën shqiptare, në zbërthimin e protagonistëve kryesorë të trafikut të armëve dhe municioneve. Dhe çelësi, sipas juristëve, është zbërthimi i Pinarit. Sugjerimi është që ish-drejtori të bëhet i "penduari" i drejtësisë". "Ylli Pinari sot është 55 vjeç dhe njëra prej akuzave, më e pakta i jep një dënim prej 10-vitesh",- argumentojnë juristët. Ndaj, sipas tyre, zgjidhja më e mirë është që ai të bindet për të bashkëpunuar me drejtësinë, jo vetëm për të shpjeguar shkaqet që çuan te masakra e Gërdecit, implikimin e MEICO-s, apo të Ministrisë së Mbrojtjes, por më gjerë. Dëshmia e Pinarit do të hidhte dritë mbi të dhënat ende të errëta të implikimit të qeverisë shqiptare, në trafikimin e armëve dhe të municioneve. Ajo do të tregonte se ku kanë shkuar armatimet dhe, a janë në të vërtetë përfitimet aq sa janë shënuar në të dhënat zyrtare të MEICO-s? Sipas juristëve, Pinari do të hidhte dritë mbi ngarkesat ilegale që janë larguar nga Shqipëria qoftë nga aeroporti i Rinasit, apo nga porti i Durrësit, në drejtim të vendeve të tjera, që kërkonin armët që posedon Shqipëria. Trafikimi i tyre është i vështirë të bëhet nga deklarimet e zyrtarëve doganorë, sepse shpeshherë këto pazare miliardash kanë mbrojtje të lartë të qeverisë. Një ish-ushtarak i lartë thotë se trafikimi i armëve në ditët e sotme ngjan pak e shumë me kontrabandën që regjimi komunist bënte në kohën e tij, kur Arka e Shtetit ishte bosh. "Ne arrinim me anë të PSV-së (sistemit të vrojtimit) të dallonim anijet që vinin nga ujërat e Jonit. Por kur i raportonim, ata lart na thoshin që të mos flisnim asgjë. Janë "anijet e Qazimit", na thoshin, duke na bërë të kuptonim se nuk duheshim ngatërruar me ato ngarkesa që hynin në Shqipëri, apo anasjelltas. Kështu më duket mua edhe ajo puna e largimit të dërgesa me armë dhe municione, qoftë nga ajri, qoftë nga deti. Vetëm ish-Drejtori i Përgjithshëm do të tregojë, nëse hapet, për sasinë, destinacionin dhe përfituesit dhe shifrat që janë ndarë",- thotë ish-ushtaraku i lartë.
Ndërmarrja
"MEICO", shteti që jep dhe merr prodhime ushtarake
"MEICO" (Military Export Import Company) është ndërmarrje shtetërore, në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë. Kjo ndërmarrje është krijuar, në vitin 1991, me Vendim të Këshillit të Ministrave, Nr.366, datë 05.10.1991 "Për krijimin e Ndërmarrjes së Import-Eksportit në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes" dhe që nga ky vit ushtron veprimtarinë dhe aktivitetin e saj, për plotësimin e nevojave të Forcave të Armatosura Shqiptare dhe të institucioneve të tjera, me mallra importi specifike të karakterit ushtarak, si dhe eksportet e mallrave ushtarake të reja dhe stoqeve të Ushtrisë Shqiptare, si dhe të prodhimeve të industrisë ushtarake.