E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punonjësit e lartë të shtetit, pensione suplementare

Qeveria miratoi ditën e djeshme një projektvendim për pensionet e personave që punojnë në institucionet e larta të Ekzekutivit si dhe në institucionet kushtetuese. Duke pasur parasysh krijimin e institucioneve të reja, por edhe ndryshimin e strukturës së disave prej tyre, qeveria i miratoi këto ndryshime duke futur në skemë ndryshimet e reja. Ligji numër 8097 i datës 21.03.1996 “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjës të shtetit”, u jep personave subjekte të skemës përfitime shtesë mbi përfitimet që jepen nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor. Skema ka për qëllim të mbështesë punonjësit e shtetit me përfitime të një niveli më të lartë, si shpërblim i punës së kryer në shërbim të tij, për periudha të caktuara pune. Për kategorizimin e subjekteve të përfshira në skemën e sigurimit shtetëror suplementar ka shërbyer barazia në funksion. Mbi këto elementë është përpunuar edhe lista bashkëngjitur ligjit, e cila përmban ministritë dhe institucionet qendrore, pjesë e administratës publike. Lista ka pësuar vazhdimisht ndryshime dhe kjo në përputhje me emërtesat e reja. Për të pasqyruar kërkesat e institucioneve të reja të krijuara, apo të ndryshimeve në emërtesat si rezultat i ndryshimeve strukturore, qeveria miratoi edhe këtë vendim për shtimin e përfituesve. Është parashikuar përfshirja në skemë prej momentit të emërtimit në detyrë të punonjësve të Autoritetit të Konkurrencës dhe të Institucionit të Avokatit të Prokurimeve. Të dyja këto institucione, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, funksionojnë si institucione qendrore buxhetore të pavarura dhe janë të barazuara me institucionet qendrore të pavarura, të cilat janë të përfshira në skemë prej krijimit të tyre.

20 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›