E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pionierët e Filmit Shqiptar në 80-vjetorin e lindjes



Izaura Ndoj

Nasi Shamia, Fahri Jukniu dhe Beqir Vaqarri me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tyre do të nderohen sot me një takim të veçantë në sallën e kinemasë pranë AQSHF nga kolegë, miq dhe të afërm. Forumi i Mbrojtjes së Autorëve Audiovizualë (FMAA) dhe Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit (AQSHF) organizojnë një takim me veteranët e Filmit shqiptar, Nasi Shamia, inxhinier teknolog, Fahri Jukniu, inxhinier zëri dhe Beqir Vaqarri, kameraman. Gjatë aktivitetit do të shfaqen pamje filmike nga karriera e tre pionierëve të filmit shqiptar, si dhe do të ketë përshëndetje, urime dhe vlerësime nga kolegët, miqtë dhe të afërmit e tyre. Veprimtaria do të mbahet me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tyre. Të tre këta kineastë të vjetër kanë filluar punë në vitin 1959 dhe kanë punuar mbi tre dekada pranë ish- Kinostudios “Shqipëria e Re”.
Jeta dhe krijimtaria e tre veteranëve të filmit
Nasi Shamia u lind më 22 mars 1931 në Korçë, ku kreu edhe shkollën e mesme. Studimet e larta i kreu në Pragë në Fakultetin e Inxhinierisë, në vitet 1954- 1958, duke u specializuar për kimi. Diplomën e mbrojti për përpunimin e filmave. Më 20 shkurt 1959 fillon punë si inxhinier në Kinostudion “Shqipëria e Re”, në laboratorin e filmave, ku ishte i pari kuadër i lartë në këtë sektor. Falë punës së tij të palodhur dhe pasionit të tij u bë mjeshtër në dhënien e dritës dhe konsulent i kuadrove krijuese në balancimin e tyre në procesin e xhirimit të filmave. Është i pari që bëri përpunimin e filmave me ngjyra në Shqipëri. Filmi parë me ngjyra që u xhirua në Shqipëri ishte “Gurët dekorativë” në vitin 1964. Pajisi laboratorin me aparatura bashkëkohore dhe përgatiti një sërë kuadrosh në sektorin e tij. Për mëse tre dekada, derisa doli në pension punoi me përkushtim, talent dhe u vlerësua për kontributin e tij të madh në filmin shqiptar.
Fahri Jukniu, inxhinier dhe operator zëri. U lind në Shkodër më 13 gusht 1929. Kreu shkollën e mesme teknike “7 Nëntori”, në degën elektrike më 1959. Punoi deri në 1954 si teknik në Radio Shkodra. Më pas në viti 1954 niset për studime në Pragë, ku vazhdoi studimet e larta në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike. Në vitin 1958 u diplomua si inxhinier për Teknikën e Studiove të Filmit. Në 22 prill 1958 u emërua në Kinostudion “Shqipëria e Re” në repartin e zërit. Dha në një ndihmesë të madhe në përmirësimin e gjendjes teknike të kinemave, të aparaturave teknike etj. Ka punuar si operator zëri në filmat dokumentarë fillimisht e më pas edhe në filmin artistik, duke filluar nga filmi “Krevati i perandorit”, pasuar nga mbi 12 filma të tjerë si “Radiostacioni”, “Vajza me kordele të kuqe”, “Duaje emrin tënd”, “Rruga e lirisë”, “Ëndërr për një karrige”, “Asgjë nuk harrohet” etj. Derisa doli ën pension ka dhënë kontribut si operator zëri në filmat artistikë, dokumentarë, kronikave dhe vizatimorë, duke u vlerësuar edhe me çmime në karrierën e tij të gjatë për më se tre dekadash.
Operatori Beqir Vaqarri u lind në 7 mars 1930 në Tiranë. Në Kinostudion “Shqipëria e Re” filloi punë në 2 shkurt 1959 dhe u mor fillimisht me ndriçimin gjatë xhirimit të filmave, punoi në laboratorin fotografik, asistent operator,etj. Gjatë punës në sheshin e xhirimit përkrah operatorëve dhe regjisorëve më në zë të Kinostudios, u njoh me kamerën, teknikën e xhirimit, të ndriçimit, fotografisë dhe kompozimin. Në fillim të viteve 80-të, pas gjithë kësaj përvoje kaloi pranë sektorit të filmit vizatimor si operator duke xhiruar shumë filma vizatimorë si p.sh “Pipiruku pret dy miq”, “Qershiza mendjelehtë”, “Zogu pushbardhë”, “Perandoria me kokë poshtë”, “Orët e Gentit”, “Burri është burrë” etj. Edhe operatori Beqir Vaqarri është nderuar me çmime për punën dhe kontributin e tij pranë filmit shqiptar.

8 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›