E Diel, 1 Nëntor 2026

“48 Hour Film Project” kundra vendimit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë



“Tirana 48 Hour Film Project”, festivali i cili dha rezultatet që në edicionin e parë të tij organizon sot një protestë pran Piramidës kundra vendimit të marrë nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Shkas për këtë lëvizje u bë vendimi i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë për të refuzuar mbështetjen financiare të “Tirana 48 Hour Film Project”. Qendra Kombëtare e Kinematografisë, në kundërshtim me premtimet e dhëna, mori një vendim të papritur dhe denigrues, duke harruar arsyen e ekzistencës së vetë kësaj qendre. Ajo denigroi në këtë mënyrë përpjekjen e rreth 340 të rinjve kineastëve, studentëve dhe të apasionuar të kinemasë, duke mos mbështetur moralisht dhe financiarisht 16 filmat e krijuar prej tyre enkas për “Tirana 48 Hour Film Project”, festival i cili dha rezultatet e veta konkrete si një aktivitet tepër cilësor dhe i frytshëm. “Tirana 48 Hour Film Project”, qoftë edhe vetë edicioni i parë, dha një kontribut shumë te madh edhe në promovimin e qytetit të Tiranës, duke tentuar përmirësimin e imazhit të kryeqytetit tonë, për ta paraqitur atë si një qytet me një dinamikë të pasur artistike dhe kulturore, që synon të integrohet dhe ti bashkohet kulturës evropiane. Gjatë kësaj lëvizje do të marrin pjesë artistë, kineastë, përfaqësuese dhe personalitete të botës së artit dhe kulturës. Në këtë protestë bashkëpunojnë Art Kontakt dhe Qendra Sociale e Tiranës.

Dasma e Napoleonit, në ekspozitë
Pallati vjenez Schönbrunn me rastin e 200- vjetorit të martesës së Napoleonit me dukeshën Maria Luiza nga Austria ka hapur ekspozitë speciale për një martesë të çuditshme “midis armiqve”. Në pranverë të viti 1810 e gjitha Evropa me kureshtje ka përcjellë ngjarjet në Paris dhe Vjenë, ku janë bërë përgatitjet e dasmës së mbretit francez Napoleon Bonaparta me dukeshën austriake Maria Luiza. Napoleoni, atë kohë, sa ishte ndarë nga gruaja e parë Jozefina, e cila nuk ka mundur t’i dhuronte pasardhës. Napoleoni kishte pritur që martesa me tetëmbëdhjetëvjeçaren Maria Luiza do të ndikonte në rritjen e imazhit të tij dhe kuptohet, lindjen e pasardhësve. E reja, në anën tjetër, ishte plot urrejtje ndaj Napoleonit, armikut më të madh të babait të saj, mbretit të Francës, e në të njëjtën kohë edhe e dashuruar në kushëririn e largët. Në ekspozitë janë paraqitur karroca me kuaj, kostume të çuditshme historike dhe piktura artistike, si dasma e pikturuar në format të madh në teknikën vaj në pëlhurë.

Pjetër Vukaj me 70 punime në Muzeun Kombëtar
Mjeshtëri artizan Pjetër Vukaj mbylli mbrëmë në Muzeun Historik Kombëtar një ekspozitë prej 70 punimesh. Këtë radhë ekspozita me shtatëdhjetë punime erdhi në teknikën e gërvishtjes në lëkurë dhe gdhendjes në dru. Druri dhe lëkura e dhenve kthehet nga duart e artistit në mjet me të cilin ai shprehet me plot origjinalitet. Vukaj në këtë ekspozitë ka prezantuar kompozime të figurave historike dhe portrete femrash. Ndër veprat e ekspozuara dhe të veçanta, ishte një lahutë e gjatë 2 metra e 40 centimetra, e cila është realizuar me dru arre. Autori Pjetër Vukaj, pas viteve '90, ka hapur disa ekspozita personale brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

8 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›