E Diel, 1 Nëntor 2026

“Piramida 72”, vuri në pranga në Vlorë anëtarët e rrjeti trafiku klandestinësh

Policia e Vlorës dhe Drejtoria e Krimit të Organizuar Tiranë, arrestuan sot, gjatë një operacioni të përbashkët, 5 persona, të cilët dyshohet të jenë pjesëtarë të një rrjeti, që trafikonte klandestinë në drejtim të Greqisë. Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Vlorës, Saimir Koçiu, tha se, gjatë operacionit të koduar "Piramida 72", u arrestuan në kushtet e flagrancës, Qazim Dautaj, 55 vjeç, Elidon Demaj, 31 vjeç, nga qyteti i Vlorës dhe Andrea Rako, 44 vjeç, Dalip Dalipaj, 32 vjeç dhe Sinan Mato, 32 vjeç, nga Saranda. Sipas tij, 5 të arrestuarit, dyshohet të jenë pjesëtarë të një rrjeti, që trafikonte klandestinë drejt Greqisë, kundrejt një shpërblimi prej 2000 eurosh për person. Për të realizuar aktivitetin e tyre, të paligjshëm, të prangosurit, , shfrytëzonin lidhjet e tyre në qytetin e Sarandës, si dhe njohjen e territorit kufitar në zonën e Konispolit, Xarrës dhe Qafë Botës dhe lidhje të tjera në Greqi. Grumbullimi i klandestinëve, bëhej nga rrethe të ndryshme të vendit dhe më pas, transportoheshin drejt Sarandës, ku akomodoheshin në baza të ndryshme strehimi, si hotele, motele etj. Kalimi i kufirit shtetëror, realizohej me autobus, përmes shoqëruesve, të cilët bënin shpërndarjen e tyre në Greqi dhe në vende të tjera të BE-së. Gjatë operacionit "Piramida 72", policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale, një sasi të konsiderueshme aparatesh celularë, tre automjete, që përdoreshin për transportin e klandestinëve dhe një vlerë financiare prej 6000 euro 5 të arrestuarit, akuzohen për veprën penale të dhënies së ndihmës, për kalim të paligjshëm të kufirit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›