Mes njerëzve që durojnë dëborën e fundit

Teksa kthehesha nga Prishtina për në Tiranë, me mbresat e pashlyera të festimeve të 1 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, pas një dite të bukur me diell, papritur u përballa me një natë mes ankthit dhe dëborës. E ndodhur në Qafën e Malit, rrethuar nga bardhësia e dëborës, mes atij acari të papërshkruar ,mes atij vargu të gjatë makinash që mundoheshin të sfidonin natyrën, shihja mbas xhamave të makinës, atë që anjëherë nuk e kisha përjetuar, përballjen me mundësinë e rënies së orteqeve që binin nga majat e maleve. Një makinë tip "Foristradë" doli nga vargu i gjatë për ti hapur rrugë makinave të tjera që vinin pas tij. Me sa duket ky xhest human ishte shenjë e solidaritetit mes "shoferëve".Te tjerë dolën nga makinat e tyre për të ndihmuar sadopak ata që kishin mbetur të bllokuar në dëborë.
Mes erës së fortë ata së bashku mundoheshin t’i bënin ato mjete të lëviznin. Por më kot. Atë natë të mbuluar nga dëbora e dendur, humanizmi i drejtuesit të "Foristradës, një djalë rreth të tridhjetave dhe drejtuesve të tjerë të vargut të makinave, nuk mundën të bënin dot të kalueshëm udhëtimin. Mes zhgënjimit , një dritë jeshile u hap për atë varg makinash, të cilët bartnin ankthin e atyre njerëzve të bllokuar në dëborë. Para nesh u shfaqën dritat e borëpastrueseve që nuk harruan të vinin në Qafë Mali, ku ata njerëz kishin më shumë se kurrë nevojë për to. Ndjenja e ankthit që kishte pushtuar ata njerëz po largohej dalëngadalë, teksa borëpastrueset dhe forcat e rendit ishin pranë tyre.
"Mos u shqetëso, dëgjova një zë pas xhamave të makinës, çdo gjë do të shkojë si jo më mire". Ishte zëri i punonjësit të qarkullimit rrugor që kishte ardhur në atë majë mali për ti ndihmuar ata njerëz. U ndjeva e lehtësuar dhe e mbrojtur nga dëbora. E ndërsa borëpastruesja çante dëborën dhe punonjësi i qarkullimit rrugor drejtonte mjetet, vargu i gjatë i makinave vazhdonte ngadalë udhëtimin drejt qytezës së Fushë – Arrëzit, e cila ishte jo më shumë se 10 km larg nga ai mal. Teksa udhëtimi vazhdonte , dritat e qytezës afroheshin drejt nesh. Pas atij kalvari ankthi dhe mundimesh arritëm në qytezën e Fushë – Arrëzit. Përsëri para nesh u shfaqën punonjësit e qarkullimit rrugor që drejtonin mjetet në rrugët e mbuluara nga dëbora. "Bëni mirë të flini këtu sonte,-u dëgjua zëri i njërit prej tyre,- nata është e pabesë. Nesër ju garantojmë se rruga do të jetë e kalueshme, borëpastrueset po vazhdojnë të çajnë dëborën." Bashkë me ne, atë natë ishin edhe fëmijët e një shkolle që ktheheshin për në Pukë. Me naivitetin e tyre prej fëmije, ata sfiduan natyrën e egër të asaj nate.
Të nesërmen e qendrimit në atë qytezë mikpritëse, një banor më tha " ju lutemi pasqyroheni drejt realitetin. Me gjithë interesimin e atyre që u takon ta bëjnë, këto janë punët e Zotit e me natyrën nuk hahesh dot. Për ne është diçka e zakonëshme,- tha pronari i një servisi aty pranë, -Ne jemi mësuar me tekat e natyrës e jemi më të fortë se ajo". Në fund të këtij rrugëtimi teksa zbritëm në Vaun e Dejës, të lodhur pas një nate të ftohtë dhe të pagjumë, u përcollëm edhe nga punonjësit e qarkullimit rrugor, të cilët na thanë: "bëni durim." Me hapjen e rrugës së re që lidh Shqipërinë me Kosovën, do të marrë fund për të gjithë kalvari i mundimeve në këtë rrugë mes maleve.
...