"Piramida" mashtruese, Gjykata lë në burg autorët
TIRANE - Gjykata e Tiranës rrëzon kërkesën për ndryshim të masës së sigurisë për dy persona të akuzuar për "mashtrim". Burime pranë Gjykatës së kryeqytetit bënë të ditur se togat e zeza të kësaj gjykate refuzuan pak ditë më parë kërkesën e të pandehurve Valon Kyçyku dhe Burim Haxhiolli për ndryshimin e masës së sigurisë "arrest me burg" dhënë për ta pas arrestimit në muajin maj. Dy të pandehurit, të dy shtetas kosovarë akuzohen se ishin të përfshirë në një skemë mashtrimi piramidale. Dyshohet se ata përfitonin shuma të konsiderueshme parash duke u premtuar njerëzve të ndryshëm sukses dhe shumëfishim të parave të tyre. Behet e ditur se kërkesën e ndryshimit të masës së sigurisë të pandehurit e kanë argumentuar me faktin që veprimtaria e tyre ishte e licensuar dhe se kishte të bënte me skema piramidale. Ndërsa nga përfaqësuesi i akuzës është pretenduar se nuk ka ndryshuar asnjë nga kushtet e mëparshme, kur gjykata caktoi për të pandehurit "arrest me burg". Valon Kyçyku dhe burim Haxhiolli u arrestuan ditët e para të muajit maj në zbatim të një vendimi të Gjykatës së kryeqytetit që kishte caktuar për ta masën e sigurisë "arrest me burg" në mungesë. Sipas prokurorisë dyshohet se Kyçyku dhe Haxhiolli, në bashkëpunim dhe me persona të tjerë nga Kosova dhe Maqedonia kanë krijuar një skemë mashtruese piramidale, fshehur nën paraqitjen e takimeve dhe seminareve për biznes. Kjo skemë është finalizuar në trajtën e një shoqërie e cila në Shqipëri fshihet pas dy emrave "Euro Life" dhe "Gemak". Po sipas hetimeve për t'u bërë anëtarë të shoqatës nevojitej të paguhej një shumë prej 2290 eurosh, shumë që është paguar nga dhjetëra persona.