E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Pengmarrja" te Treni, Prokuroria: S`ka krim



TIRANE - Prokuroria e Tiranës do ti mbyllë hetimet për ngjarjen e ndodhur pak javë më parë pranë stacionit të trenit në Tiranë, ku një i ri nga Shkodra hyri në një dyqan celularësh me një armë lodër, duke shkaktuar një situatë e cila u përshkrua nga policia si pengmarrje. Elton Sutermani u arrestua nga forcat speciale të policisë më 29 maj 2010 në afërsi të stacionit të Trenit në Tiranë. Pasi kishte hyrë në dyqanin e celularëve rreth mesditës, në kohën kur aty ndodhej vetëm një shitëse, një vajzë nga Shkodra, ngjarja u raportua në polici si pengmarrje. Forcat e rendit shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe rrethuan dyqanin për shkak se personi që ndodhej brenda dyqanit mbante në duart një pistoletë. Pas negociatave për 30 minuta, Elton Sutermani pranoi të dorëzohej dhe menjëherë u arrestua nga policia me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë ndaj vajzës që u ndodh në dyqan në momentin kur ndodhi ngjarja. Tri ditë më pas, Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë "20 ditë burg" për të riun nga Shkodra për shkak se kishte dyshime se ai vuante nga çrregullime mendore. Ndërkohë dosja u përcoll në Prokurorinë e Tiranës e cila ka vlerësuar se në këtë ngjarje nuk ka vepër penale. Vajza e cila u ndodh në dyqan në momentin kur ndodhi ngjarja, ka pohuar se pasi ka hyrë në qendrën e shitjes, i riu nga Shkodra nuk ka ndërmarrë asnjë veprim tjetër ndaj vajzës të cilës i ka thënë vetëm: Dua të rri këtu me ty. Ndërkohë nga kontrolli i ushtruar armës që mbante në duar i riu nga Shkodra, rezultoi se ajo ishte një pistoletë lodër. Sipas prokurorisë në këto rrethana është e pamundur të ngrihet akuza e armëmbajtjes pa leje ndërkohë që edhe akuza e heqjes së paligjshme të lirisë ndaj shitëses së dyqanit nuk qëndron pasi ajo nuk është rrëmbyer. Prokuroria pohon se edhe vetë vajza, ka dëshmuar para grupit të hetimit duke thënë se i riu që ka hyrë në dyqan, nuk ka ushtruar dhunë apo kërcënime ndaj saj, por vetëm i ka thënë se donte të qëndronte pranë saj. Në përfundim të afatit 20-ditor të arrestit me burg, Gjykata e Tiranës vendosi masën "detyrim paraqitje" ndaj Elton Sutermanit. Ndërkohë prokuroria vendosi të mos zhvillojë ekspertizë mendore për të riun duke qenë se mungonin elementët e veprës penale. Sipas organit të akuzës, dosja penale për këtë ngjarje do të pushohet pas disa verifikimeve plotësuese, pasi mungojnë elementët e veprës penale. tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›