E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr me fatorinon, autobusi i unazës në polici



TIRANE - Një polic burgjesh i dehur është bërë protagonist i një grindjeje në njërin nga autobusët urbanë të kryeqytetit, duke bërë që mjeti i udhëtimit publik së bashku me udhëtarët të përfundonte në komisariatin e policisë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së premtes, kur polici P.D., po lëvizte me mjetin e transportit publik për të marrë punën në turnin e tretë në njërin nga paraburgimet e kryeqytetit. Polici, i cili ka qenë i dehur ka refuzuar të paguajë biletën, çka ka sjellë debat mes tij dhe fatorinos, i cili është ashpërsuar me këmbënguljen e të dy palëve për të mos lëshuar pe. Pas kësaj i është telefonuar policisë, ndërsa autobusi së bashku me udhëtarët është drejtuar drejt ambienteve të policisë, ku pasi është zbritur polici i burgjeve dhe fatorinoja, mjeti ka vazhduar udhëtimin. Mësohet se në ambientet policore fatorinoja ka tërhequr denoncimin për policin, ndërsa efektivi i burgjeve është lënë i lirë për shkak se ndodhej në gjendje të dehur. Nisur nga këto rrethana policia e kryeqytetit e ka parë të arsyeshme të mos nisë çështje penale për këtë rast, pasi edhe nga burgjet kanë mbërritur "opinione" të mira për efektivin, i cili njihej si korrekt në detyrë dhe në marrëdhëniet me kolegët. Sipas tyre ai ndoshta ka sjellë situatën problematike në autobusin urban, pasi ndodhej në gjendje të dehur. Ende nuk dihet nëse nga burgjet do të merret masë për punonjësin e policisë së paraburgimit, ndërsa policia e kryeqytetit e ka mbyllur këtë rast duke e klasifikuar si incident të vogël pa pasoja. Pas lirimit nga komisariati, polici i burgjeve është lënë i lirë për t'u kthyer në banesën e tij, ndërsa nuk dihet nëse është kthyer sërish në punë, apo ndodhet në pritje të shqyrtimit të çështjes së tij nga eprorët. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›