E Shtunë, 31 Tetor 2026

Piramida të ishte muzeu i Enverit për vizitorët e huaj

Autori i Lajmit: red.
Ditari

Para se ta shpjegoj historinë e makinës së Enver Hoxhës, dua të them nja dy fjalë për muzeun e Enver Hoxhës, të cilit i shërbeva për 25 vjet me radhë. Ende sot kam po atë mendim që kam pasur për atë njeri të shquar të luftës, komandatin dhe udhëheqësin e Shqipërisë për 40 vjet më radhë. Kam qenë në drejtimin e truprojave të tij dhe punën e kam kryer me ndershmëri e përkushtim. Jam i sigurt se si unë do ta kishte kryer atë detyrë, kushdo që do t ia ngarkonin.
Pas vdekjes së Enver Hoxhës në vitin 1985 u mor vendimi për ngritjen e një muzeu në kujtim të veprës së tij. Sigurisht, këtë vendim nuk e mora unë, por dhe po të isha në vend të atyre që e hodhën dhe e realizuan këtë ide, do të veproja po kështu. Muzeu ishte një gjë madhështore, kuptimplote dhe e merituar për çka bëri ai njeri për vendin e tij.
Askush nuk e mendonte se një ditë, pas viteve 90, ai muze do të shkatërrohej tërësisht, do të vidhej dhe abandonoheshin gjëra me vlerë historike në atë mënyrë. Mendimi im është se ai muze mund të ekzistonte ende dhe të shërbente si objekt, që mund të vizitohej nga të huajt, nëse disa shqiptarë bezdiseshin apo e urrenin Enver Hoxhën. Pra, mund të ndodhte edhe kështu te ky muze i hapur për të huajt. Jo pak historianë janë marrë me jetëshkrimin e Enverit, them se do të ngjallte interes një gjë e tillë për turistët e huaj. Megjithatë u pa se mungonte vullneti i mirë për ta bërë një gjë të tillë. Mendoj se kjo është praktikë e gabuar. Të mos i mpleksim të gjitha gjërat me politikën. Çdo popull ka historinë e vet dhe pa të, ai do të ishte asgjë. Historia është memoria kombëtare, pa të nuk do të ekzistonim. Duan apo nuk duan disa, Enver Hoxha është pjesë e rëndësishme e historisë kombëtare.
Në muzeun e Enver Hoxhës u ekspozuan shumë sende të tij personale. Në hyrje ishte një skulpturë mjeshtërore e skulptorit të madh Kristaq Rama. Ka pasur në atë muze plot gjëra, foto e armë. Aparate dhe foto. Tani ato kanë përfunduar në bodrum dhe janë kalbur. Kur nuk duhen t u kthehen familjarëve të Enverit e të mos shkojnë dëm ashtu kot.
Fjati “Milecento”
Është e vërtetë që ai Fiat ka qenë i ekspozuar si shumë objekte të tjera në muzeun e Enver Hoxhës. Me sa më kujtohet, në vitin 1986 po merreshim me organizimin e punës për muzeun dhe duheshin të evidentoheshin objekte të tilla të përdorura nga Enver Hoxha gjatë luftës dhe punës së tij. Isha me pushime në Durrës dhe aty më thanë se ekzistonte edhe Fiati “Milecento”, me të cilin kishte lëvizur Enveri gjatë kohës së ilegalitetit. Kishte shkuar në Vlorë, Shkodër e në qytete të tjera me të. Menduam se ky ishte një objekt me vlerë për atë muze. Shkuam në shtëpinë e pronarit të makinës, Ciko, dhe i thamë nëse mund ta merrnim. Ai na e dha. Kërkoi një shpërblim se e kishte blerë dhe mbase kishte të drejtë. Kujtoj se makina duhet të jetë shitur nga mesi i viteve 60, dhe me të ishin luajtur edhe disa filma. Kërkesën e pronarit për shpërblim, ia transmetova kryeministrit të asaj kohe, Adil Çarçani. Nuk e di ç u bë më pas, se detyra ime mbaronte këtu deri te identifikimi i objektit e kërkesa për ta ekspozuar. I zoti i makinës na e ka dhënë atë qetësisht. Askush nuk është sjellë keq me të, por iu shtua një kërkesë që ai e miratoi. Kjo makinë u mor nga qeveria dhe u riparua e u bojatis për t u ekspozuar. Nga një anë, më mirë që e mori pronari atë makinë, se do të kishte përfunduar për skrap e do të ishte dëmtuar si shumë objekte të tjera të ekspozuara në muzeun e Enver Hoxhës.

Pjesë nga ditari
Udhëtimi i Enver Hoxhës me “Milecento”-n
29.3.1981
Shoku Enver doli me shoqen Nexhmije si paradite dhe mbasdite. Pasi përcolli fëmijët, Sokolin dhe Pranverën, për në Tiranë shoqja Nexhmije më thirri në dhomën e oxhakut dhe më porositi që të interesohesha për hartën e bazave, ku ka kaluar shoku Enver, veçanërisht për atë të Vlorës në maj – qershor të vitit 1943, për shpartallimin e fraksionistëve. Donte gjithashtu disa shtëpi kryesore, si të Rrapo Dervishit në Mavrovë, të shokut Manush në Risili, në Oshtimë, Tragjas, Këtkov etj. I shpjegova shoqes Nexhmije se këto unë i kam filmuar dhe se kisha edhe tekstin, që ma kishte aprovuar ajo vetë.
Dihet, i thashë, që shoku Enver mori një letër nga Vlora me anën e Nimete Veshit. Shoku Enver ka qenë në shtëpinë e Ismail Qimetit në Tiranë. Me të marrë letrën, ai u nis me një makinë “Mileçento”, së bashku me nënë Nimeten dhe Ymer Veshin, djalin e saj, që ishte edhe sekretar i dytë i Qarkorit.
Nënë Nimetja tregonte:
“Shoku Enver ishte i armatosur dhe i gatshëm për të hapur zjarr mbi çdo armik që mund ta ndalonte. Kur kaluam urën e Rrogozhinës, Mbrostarit dhe Mifolit, që ruheshin me karabinier, na thoshte që mos u trembni dhe bënte muhabet me ne kur ata kërkonin pasaportat. Më dukej sikur shoku Enver ishte gati në çdo moment të shtinte mbi ta”. Gjatë kësaj rruge ka shumë kujtime për të folur. Shoku Enver ka bërë kaq lëvizje sa nuk mund të besohen nga një njeri që nuk i ka jetuar ato kohëra, nëqoftëse do të numërohen të gjitha. Pasi mbaroi punë në Qarkun e Vlorës nga fundi i muajit maj, kaloi në Skrapar, Tomorricë, Kuçak, Mokër, Labinot, në formimin e Shtabit të Përgjithshëm; përsëri në Polis, Mokër, Kuçak, Vithkuq (formimi i Brigadës së Parë Sulmuese në 15 gusht), në Shtyllë e prej këndej në Labinot, në Arbanë, ku mori pjesë dikrekt në luftimet me gjermanët, duke zbritur nga kodrat e Alltatit, prej këndej në fshatin Shëngjergj në takimin me Abaz Kupin si dhe itenerari gjatë operacionit të dimrit, që është i njohur për peripecitë dhe rreziqet e tij dhe që për këtë mund të shkruash një volum të tërë. Me të drejtë ne themi se udhëheqja jonë nuk doli nga sallonet, por nga lufta për jetë a vdekje me armikun, nga vështirësitë e mëdha të asaj kohe të lavdishme. Dua t i jap sa më shumë të dhëna shoqes Nexhmije, që çdo gjë të dalë sa më e qartë.

Armët e zjarrit të Komandantit
Proces-Verbal
I mbajtur sot më datën 22.7.1988 mbi marrjen në dorëzim nga shtëpia e shokut Enver Hoxha të objekteve që do të ekspozohen në Muzeun “Enver Hoxha”. Mbasi u panë të gjitha objektet një për një nga grupi i punës, i përbërë nga shokët Sulo Gradeci, Fatri Sinani, Dashnor Andoni, Luan Kuçi, Margarita Kulla, Tatjana Hoxha, Luan Baka u përpilua lista e objekteve si më poshtë:
I.Armë të përdorura nga shoku Enver
1.Pushkë gjermane e gjatë, “Model 98”, me dylbi, me nr. 4279, nr. i dylbisë 9268. Është pa rrip, me thupër, e armatosur. Është përdorur nga shoku Enver Hoxha gjatë Luftës Nacionalçlirimtare.
2.Pushkë gjermane e shkurtër, “Model G 33/40”, me nr.3789, ka rripin, thuprën, është e armatosur, prodhim i vitit 1941. Është përdorur nga shoku Enver gjatë Luftës Nacionalçlirimtare.
3.Pushkë italiane me nr.39x3922 me kalibër 6.5. Është pa rrip, pa thupër, me bajonetë në formë shtize, e armatosur. Është përdorur gjatë Luftës Nacionalçlirimtare nga shoku Enver Hoxha.
4.Pistoletë gjermane 9.38, nr. 93516, pa krëhër, me këllëf meshini, dimërore, e armatosur. Është përdorur gjatë Luftës Nacionalçlirimtare nga shoku Enver Hoxha.
5.Pistoletë “Mauzer”, Verhe A.Goberdorf A.M, nr.471712, kalibër 6.35, me këllëf veror, me krëhër, e armatosur. Është përdorur gjatë luftës nga shoku Enver Hoxha.
6.Pushkë gjuetie, çekosllovake, me dylbi, nr.ZG 47, nr. i dylbisë 086697, kalibri 30.06, të vendosura në këllëf meshini me rryp, të armatosura. Dhuratë gjatë vizitës në RP. Çekosllovake.
7.Çifte hungareze, “Feguvengijar”, nr.13619, me rrip, e armatosur, përdorur në gjueti.
8.Rrip mesi gjuetie për të mbajtur fishekët. Ngjyrë kafe.
9.Çantë gjuetie me ngjyrë të zezë dhe me rripa ngjyrë kafe për të varur shpendë.
10.Çizme të gjata gjuetie (të riparuara). Materiali – beze e gomuar, ngjyrë kafe.

II.Objekte të përdorimit personal e familjar në kohën e lirë
1.Aparat filmimi 8 mm, “Kodak”, i përdorur nga shoqja Nexhmije Hoxha. Me mbulesë meshini dhe rrip. Gjendja e objektit: Është e gërryer nga erozioni në pjesë të ndryshme metalike.
2.Aparat fotografik “Smena”, dhuruar Pranverës.
3.Aparat fotografik. Dhuratë nga Ikbale Hoxha.
4.Copë kadifeje për pastrimin e këpucëve dhe luga e këpucëve, që përdoreshin nga vetë shoku Enver.

III.Objekte që shokut Enver i kanë dhuruar të tjerët
1.Shall aksioni i Kongresit të 7-të të BRPSH-së. Dhuruar me rastin e pjesëmarrjes në Kongres. Material mëndafshi.
2.Shall aksioni dhuruar me rastin e inaugurimit të hekurudhës Rrogozhinë-Fier. Material pambuku.
3.Shall pionieri, material mëndafshi.
4.Kuletë e pajisur me stilograf, stilolaps, portaminë dhe një çakmak tip “Hodzon”. Dhuratë nga kosovarët më 1979.
5.Kuti duhani metalike. Dhuruar shokut Enver nga Molotovi.
Ky lajm është publikuar: 16/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›