E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Media dhe politika nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën

 Drejtues të medias, botues, gazetarë, analistë e drejtues të emisioneve televizive u pritën dje në mjediset e Kuvendit nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në një takim shumë të veçantë për festat e fundvitit. Duke falënderuar të gjithë për punën dhe  përkushtimin e tyre në këtë mision sa vështirë aq edhe të rëndësishëm, Kryetarja e Kuvendit tha se është e vërtet se politika  ushqen mediat çdo ditë me lajme, po aq sa është e vërtetë që edhe politika ushqehet me  lajmet e medias çdo ditë. “Në fakt politika dhe media janë si dy pjata tektonike. Jo gjithmonë raportet i kanë shumë të ngrohta, por nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën. Unë e di sesa orë të zgjatura, sa punë të madhe, se më çfarë shpejtësie ju përcillni lajmin”, tha Topalli. Kryeparlamentarja tha se 2009 ishte një vit i mbarë si në termat politik dhe të integrimit ekonomik për vendin. “Kam parasysh anëtarësimin në NATO, mbylljen e ratifikimit të MSA-së, dorëzimin e kërkesës për statusin e vendit kandidat, përgjigjen pozitive të 27 vendeve te BE-së në miratim të kërkesës sonë, rezolutën e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave. Në një kohë kaq të shkurtër, ngjarje kaq të mëdha në procesin integrues Shqipëria nuk ka pasur, ndaj dhe e konsiderojmë një vit të suksesshëm dhe të mbarë”, deklaroi Topalli. Sesioni i dytë parlamentar nis sipas Rregullores në javën e tretë të janarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›