E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Dialog në Parlament

 ADI SHKEMBIMaxhoranca përsërit ftesën për të dialoguar në Parlament me opozitën, por shprehet e vendosur të mos hapë kutitë e 28 qershorit.  Në përballjen me mediat, në 100 ditët e qeverisë së dalë nga zgjedhjet e fundit, kryeministri tha se kërkesa e PS-së për të hetuar procesin e fundit elektoral nëpërmjet rinumërimit të votave bie ndesh me ligjet e vendit dhe rrëzon demokracinë. “Unë nuk kam një pushtet mbi opozitën. Unë kam detyrimin tim madhor të zhvilloj zgjedhjet që u zhvilluan. Kam detyrimin tim madhor ta ftoj dhe garantoj për bashkëpunimin në Parlament. Por është jashtë çdo tagri e mundësie që unë të pranoj në mungesë të plotë të procedurave juridike, në ndalim të plotë nga kushtetuta dhe ligjet e vendit kërkesa të cilat rrënojnë ndërtesën. Unë kam një ofertë, jam i hapur, e mirëpres”, u shpreh kryeministri. Por ai nuk e kaloi pa ironi ftesën ndaj opozitës. “A nuk të duket ty se po përjetohet një gjë e çuditshme, jo fatale, por shumë e çuditshme. Në qoftë se etërit e tyre historikë dhe biologjikë u shndërruan në bunkerë, këta zotërinj po shndërrohen në kuti. çfarë përzgjedhje është kjo? Ata bunkeri këta kutia”. I pyetur se cilat janë pyetjet më të vështira në pyetësorin e Komisionit Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat, kreu i maxhorancës përmendi pikërisht kriterin politik. “Asnjë mëdyshje nuk ka që kriteret politike janë kriteret më të rëndësishme. Por dua të theksoj këtu, në vlerësimin e tyre, siç treguan këto 100 ditë predominon gjykimi dhe logjika e rregullave të demokracisë. Në qoftë se dikush mendon se do të mund të penalizojë Shqipërinë për faktin se Edi Rama kërkon i vetëm në Evropë dhe në botë hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave, gjë të cilën ia ka mohuar në mënyrë kategoritë të gjithë bashkëbiseduesit e tij, të jeni të sigurt se përgjigjja jonë do jetë e saktë, do vlerësohet dhe do ecë, siç u morën këto vendime”, u shpreh më tej Berisha. Kreu i maxhorancës vlerësoi gjithashtu edhe koalicionin mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, teksa tha se këto 100 ditë treguan se ky koalicion mund të qeverisë vendin edhe 30 vjet të tjera. “Miq dhe ziliqarë shtronin pyetjen si do t’ia dalë ky koalicion, kjo maxhorancë e re. Këto 100 ditë faktojnë se ky koalicion mund të ecë edhe 30 vjet të tjera në timonin e qeverisjes së këtij vendi. 100 ditëshi që lamë pas është 100 ditëshi i vendimeve më të mëdha historike që bashkimi evropian ka marrë për Shqipërinë dhe shqiptarët në 18 vite bashkëpunimi”, theksoi Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›