E Shtunë, 31 Tetor 2026

Piratë që pasurohen

RRËMBIMET NË SOMALI

Somalia është bërë shteti më i dështuar i botës, ndërsa anarkia u lejon bandave të piratëve që të operojnë lirisht në brigjet e saj. Rrëmbimi sensacional i anijeve dhe i një supertankeri nafte, katër ditë më parë, po i pasuron disa qytete në brigjet e vendit.

Ndërsa ekonomia në pjesën tjetër të Somalisë vazhdon të përkeqësohet, për shkak të luftimeve ndërmjet fraksioneve dhe mungesës së ligjit në përgjithësi, pjesëtarët e bandave të piratëve në Somali janë “biznesmenët” më të suksesshëm në vend. Një raport i Kombeve të Bashkuara thotë se piratët kanë mbledhur deri në 30 milionë dollarë nga rrëmbimi i anijeve.

Të shtunën ata zunë një nga anijet më të mëdha botërore të naftës që vlente afër 100 milionë dollarë. Ndërkaq, në 10 muajt e kaluar, rreth 65 anije tregtare janë rrëmbyer nga ana e piratëve.

Suksesi i piratëve po ballafaqohet me përpjekjet e pasuksesshme të qeverive botërore për t’i ndaluar.

Shumë vende, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, kanë anije detare në rajon, (aty ka edhe anije të Indisë, Rusisë, NATO-s, anije të përfshira në luftën kundër terrorizmit), por problemi është më i madh dhe se asnjë fuqi e vetme nuk mund ta zgjidhë çështjen. Vetë zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, Shon McCormak, tha se "ky është një problem ndërkombëtar. Shtetet e Bashkuara nuk do ta zgjidhin të vetme. Dhe, asnjë vend tjetër vetëm nuk do ta bëjë këtë”.

Zona në të cilën piratët operojnë, është shumë e madhe. Aktualisht, janë 17 anije me rreth 200 persona që mbahen nga piratët. Ata presin të përfundojnë marrëveshjet e këmbimit me pronarët e anijeve. Qeveritë e huaja ua kanë lënë në dorë kompanive të anijeve të merren me pagesën që duhet të bëjnë me kusht lirimin e pengjeve.

Edhe Arabia Saudite ka sinjalizuar se këtë gjë ua ka lënë pronarëve të anijes së rrëmbyer të shtunën. Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, princi Saud al-Faisal, tha se “ne nuk duam të negociojmë me terroristët; pronarët e anijes janë kryesorët në atë që po ndodh atje".

Mirëpo, pronarët e anijeve, zakonisht paguajnë. Ata zakonisht hedhin thasë me para nga helikopterët në afërsi të bregdetit. Dhe thasët me para kanë bërë që ndryshimi ekonomik i këtyre zonave bregdetare të Somalisë të jetë aq i ndryshëm nga pjesa tjetër e vendit, saqë qytetarët po i shikojnë piratët si heronj. Kur e dërguan në bregdet anijen e rrëmbyer gjatë vikendit, qytetarët vrapuan në plazh për të festuar.

Të gjitha këto na kujtojnë se sot Somalia është një shtet totalisht i dështuar. Bazuar në raportin e Kombeve të Bashkuara, numri i banorëve të Somalisë që kanë nevojë për ndihmë humanitare, është rritur nga 1.8 në 3.2 milionë. Por, edhe anijet që dërgojnë ndihma, zakonisht rrëmbehen dhe plaçkiten.

*Analizë e “Radio Evropa e Lirë”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›