E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkiaket: Të shembet pallati i amortizuar

Vlorë- Pasi kanë refuzuar dy vjet më parë kërkesën për shembjen e pallatit 1149, këshilltarët e këshillit bashkiak të Vlorës, nuk kanë luajtur më me diskutime në këtë pikë. Ngjarja e ndodhur në Gjirokastër, e ka vendosur pallatin në pikën e parë të rendit të ditës. Në mbledhjen e sotme është kërkuar tjetërsimi i truallit në të cilën ndodhet aktualisht pallati 1149, ose njohur ndryshe si pallati i ish Gjallicës.

Kryetari i bashkisë Shpëtim Gjika ka njohur dhe njëherë me gjendjen në të cilën ndodhet pallati, duke u kthyer në të njëjtën kohë edhe në retrospektivën e ngjarjeve pas çarjes së pallatit. Gjika ka kujtuar se e ka sjellë edhe me parë para këshilltarëve emergjencën e pallatit, duke u parë si zgjidhje tjetërsimi i truallit për ngritjen e një pallati të ri, propozim ky që është rrëzuar nga këshilltarët.

Kreu i bashkisë së Vlorës ka ftuar këshillin të jetë këtë herë pjesë e zgjidhjes, pasi zvarritja e saj vë në rrezik direkt banorët e pallatit. E parë në këtë këndvështrim, çështja e pallatit 1149 në lagjen“29 nëntori” që rrezikon shembjen është trajtuar me emergjencë në mbledhjen e sotme të këshillit bashkiak. Tjetërsimi i trualllit në favor të banorëve të pallatit 1149 në lagjen “29 Nëntori” ka marrë miratimin nga të gjithë këshilltarët e forcave politike. 1200 metra katror është sipërfaqja që do të vihet në dispozicion për ringritjen e një tjetër pallati pas shembjes së atij aktual. Dhe pse mori miratim për tjetërsim trualli ndërkohë kanë mbetur të pa zgjidhur problemet e strehimit të banorëve, si dhe marrdhëniet e tyre me truallin referuar pronësisë.

E rikthyer sërish si një çështje emergjente, tjetërsimi i truallit për pallatin 1149 pas mosmiratimit në vitin 2006 nga këshilltarët, pallati u trajtua edhe si një përplasje midis forcave politike. Por dhe pse hedhje-pritjet nuk munguan as këtë radhë, u gjend gjuha e përbashkët duke e miratuar për ti bërë parapritë një tragjedie të dytë si ajo e Gjirokastrës. Gjithsesi për pallatin në fjalë është lënë detyrë diskutimi i modaliteteve teknike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›