E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutimi i vendimeve, Topi kundër Alibeajt

Presidenti Bamir Topi deklaroi dje se, vendimet e gjykatave nuk zbatohen. Kundërshton Alibeaj

TIRANË- “Lufta e ftohtë” ekzekutiv-presidencë vazhdon. Objekt i saj, këtë radhë është bërë sistemi i drejtësisë dhe, më konkretisht, ekzekutimi i vendimeve gjyqësore, për të cilat presidenca dhe Ministria e Drejtësisë japin të dhëna krejt të ndryshme, duke kundërshtuar njëra-tjetrën. Kështu, kreu i shtetit, Bamir Topi, u shpreh dje gjatë një takimi konsultativ me anëtarët e Gjykatës së Lartë, anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Prokuroren e Përgjithshme, se tri të pestat e vendimeve gjyqësore ose thënë ndryshe 8868 çështje kanë mbetur pa u ekzekutuar nga përmbarimi gjyqësor. “Ka shumë vendime të formës së prerë, vendime të Gjykatës së Lartë, të cilat nuk po ekzekutohen. Qytetari apo subjekti mund të kalojë dhe vite me radhë në procese të stërmundimshme, që është pjesë e natyrës së drejtësisë, në fund merr një vendim dhe ai vendim rezulton thjesht në letër, sepse është i paekzekutuar. Këto janë të gjitha statistikat e azhornuara të ditëve të fundit ku, vetëm dy të pestat e vendimeve për ekzekutim, janë realizuar. Pjesa tjetër, tri të pestat, janë ekzaktësisht 8868 çështje. Skandaloze! 8868 çështje, çka do të thotë që moszbatimi i tyre, rrëzon autoritetin e shtetit, autoritetin e drejtësisë”, - deklaroi Presidenti i Republikës Bamir Topi gjatë kësaj tryeze. Ai nuk ka nguruar që të bëjë përgjegjës për moszbatimin e këtyre vendimeve institucionet shtetërore, por pa përmendur emra konkretë. “E keqja nuk qëndron këtu, sepse mund të ketë interesa midis individëve, kuptohet që e kanë shumë të vështirë që të jenë pjesë e këtij zbatimi, por ka dhe struktura shtetërore ku njerëz me përgjegjësi të drejtpërdrejtë frenojnë zbatimin e ligjit”, - tha më tej kreu i shtetit. Megjithëse nuk ka përmendur asnjë emër institucioni për këtë përgjegjësi, duket se kjo akuzë i ka “djegur” më shumë se kujtdo tjetër Ministrisë së Drejtësisë, e cila nëpërmjet një deklarate për shtyp pa përmendur asnjëherë emrin e presidentit, hedh poshtë të gjitha pretendimet e tij në lidhje me këtë çështje. Sipas kësaj ministrie, nuk ka asnjë vendim të Gjykatës së Lartë që nuk është ekzekutuar nga Përmbarimi, por se shifra e dhënë nga kreu i shtetit ka të bëjë me çështjet në zbatim e sipër dhe jo me ato të paekzekutuarat. “Gjykata e Lartë, me ligj mund të disponojë pezullimin e ekzekutimit të detyrueshëm prej përmbaruesve dhe nuk ka asnjë rast që përmbaruesit gjyqësorë të mos kenë ekzekutuar një vendim pezullimi të Gjykatës së Lartë. Statistikat zyrtare që disponon Ministria e Drejtësisë tregojnë se në periudhën Janar-Shtator 2008, në rrethin e çështjeve që janë pjesë e punës së shërbimit përmbarimor, janë ekzekutuar 3675 çështje dhe iu është dhënë zgjidhje ligjore 5994 çështjeve. Shifra prej 8868 nuk tregon numër çështjesh të zvarritura apo të mbetura pa ekzekutuar sipas ligjit. Kjo shifër, referuar statistikave zyrtare, tregon numrin e çështjeve në ekzekutim e sipër”, - thuhet në deklaratën e Ministrisë së Drejtësisë. Ndërkohë, gjatë tryezës së organizuar nga presidenti është vënë theksi tek bashkëpunimi i institucioneve të drejtësisë, në mënyrë që të realizohen reforma në funksion të një drejtësie në shërbim të qytetarëve. Duke iu referuar të dhënave që jep progres-raporti për sistemin e drejtësisë, presidenti Topi ka theksuar se ka ende nevojë që të punohet për të bërë të mundur që vitin e ardhshëm të kemi një vlerësim më pozitiv. Ai ka ftuar njerëzit që e përbëjnë këtë sistem që të jenë me aktivë në debatet publike për të mbrojtur përpara opinionit të gjerë, por edhe politikës, idetë më të zhvilluara për të krijuar një drejtësi sa më funksionale. “Reforma në sistemin e drejtësisë ka nevojë të jetë vizionare, të jetë një reformë komplekse e konsultuar, të mos jetë sporadike, të mos jetë e kushtëzuar nga konjukturat e çastit, të cilat mund të jenë dhe politike, të mos e jetë e kushtëzuar as nga interesat lobiste apo individuale, por të jetë një reformë integrale. Reformë integrale që shkon në harmoni të plotë me vullnetet politike”, - tha kreu i shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›